Me vëmendje lexova Raportin e publikuar sot për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2020, publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Jemi të vetëdijshëm se kemi përpara shumë sfida, të cilat dhe ky raport i thekson, përfshirë korrupsionin e zyrtarëve qeveritarë e mosndëshkimin e tyre, kufizimet e tepruara ndaj mediave, dhunën ose kërcënimet ndaj gazetarëve. Po ashtu mungesa e integritetit dhe ndëshkimit dhe në institucionet e sigurisë, përfshirë dhe rastet e keqtrajtimit të të paraburgosurve nga Policia janë problematika me të cilat institucionet përkatëse përballen. Pavarësisht numrit të këtyre fenomeneve, këto veprime dëmtojnë punën e mirë të shumë zyrtarëve policorë që kryejnë detyrën me shumë integritet e profesionalizëm. Si ministër e si qeverisje e re nuk do t’i tolerojmë rastet e tilla të shkeljeve.
Jam thellësisht i bindur se në bashkëpunim me partnerët tanë, sfidat e identifikuara do t’i përkthejmë në veprime konkrete në mënyrë që t’i tejkalojmë ato. Si parim udhëheqës do të kem mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke u bazuar në vlera të përbashkëta si dinjiteti, drejtësia, barazia, respekti dhe pavarësia.
Falënderim i veçantë për të gjithë ata që kanë punuar në këtë raport e veçanërisht Departamentit Amerikan të Shtetit. Mbrojtësit e këtyre vlerave siç janë të drejtat e njeriut janë një vlerë e shtuar dhe mekanizma të domosdoshëm në përmirësimin e punës sonë, për të mbështetur paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm.