Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e dytë për ditën e sotme, e ka miratuar unanimisht nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të cilën edhe ia ka proceduar Kuvendit.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e mbështet këtë nismë.
“Qeveria e Kosovës pas pranimit të përfundimit të Kuvendit të Kosovës të datës së sotme për dhënien e mendimit lidhur me nismën legjislative për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme i cili është ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256 në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë dhe me përfundimin e Kuvendit të Kosovës jep mendim lidhur me nismën legjislative dhe e mbështet këtë nismë. Sipas kërkesës nga përfundimi i Kuvendit është përgatitur edhe opinioni për vlerësimin e ndikimit buxhetor që do t’i procedohet Kuvendit”.
Kurti deklaroi se ky projektligj do t’ua mundësojë bashkatdhetarëve që jetojnë në diasporë që të mund të votojnë në ambasadat dhe konsullatat e vendeve respektive duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme.
“Ky Projektligj për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk është i ri. Ai është një gjë që u pat iniciuar edhe në legjislaturën e gjashtë dhe ka vazhduar edhe në legjislaturën e shtatë ku është përkrahur miratimi i tij dhe tani ne po e miratojmë në qeveri për ta proceduar më tej për miratim në Kuvend. Ky projektligj është në funksion të garantimit të të drejtës së votës për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe e mundëson votimin e bashkatdhetarëve në ambasadat dhe konsullatat e Republikës duke ua krijuar mundësinë për pjesëmarrje më të lehtë në procesin zgjedhor duke filluar që nga zgjedhjet e ardhshme”.