Qeveria e Kosovës dje në mbledhje ka ndërmarrë masat e reja anti-COVID.
Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar nga data 12 deri më 18 prill janë të obliguara që të organizojnë mësimin online.
Po ashtu, nga data 6 deri më 18 prill mësimin online janë të obliguar ta organizojnë edhe institucionet publike dhe private universitare.
Sipas këtij vendimi, institucionet parashkollore do të vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19.
Ndër vendimet tjera që janë marrë nga Qeveria është edhe mbyllja e gastronomisë dhe qendrave tregtare në 12 ditët e ardhshme, si dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit.
Nga 7 prilli institucionet publike dhe private, sipas vendimit të Qeverisë, obligohen të punojnë vetëm me staf esencial.
Po ashtu janë ndaluar rreptësisht organizimi i ceremonisë së ngushëllimeve, ndërsa në ceremonitë e varrimit do të lejohen vetëm anëtarët e ngushtë të familjes.
Me këtë vendim ndalohet grumbullimi i qytetarëve me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit me më shumë se 10 persona, derisa transporti publik do të punojë me 50 për qind të kapaciteteve.
Ndërsa të gjithë ata qytetarë të cilët hyjnë në Kosovë duhet të kenë një test negativ brenda 72 orësh, në të kundërtën ata duhet të vetizolohen për 7 ditë.