Pandemia e koronavirusit ka lëkundur ekonomitë anë e mbanë botës dhe padyshim që ndikim ka pasur edhe në Kosovë, pasi gjatë vitit 2020 ka pasur rënie të Bruto Produktit Vendor (BPV) për minus 6 për qind.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, kjo rënie gjatë vitit 2020 e bënë Kosovën me rënien më të madhe në rajon, pas Malit të Zi që shënoi rënie minus 15.2 për qind.
Shqipëria ka pasur një rënie prej minus 3.5 për qind, derisa Serbia ka pasur rënie vetëm minus 1 për qind.
Rënia e Bruto Produktit Vendor në Kosovë, sipas Driart Elshanit, ekspert i të dhënave, ka ndodhur për shkak të keqmenaxhimit të krizës së shkaktuar nga COVID-19 gjatë vitit 2020.
Ai përmend arsyet kryesore që kanë çuar në rënien e rritjes ekonomike në Kosovë.
“Mungesa e një strategjie të qartë kundër COVID-19, rrëzimi i një qeverie në start të pandemisë, dizajnimi i politikave të papërshtatura për rrethanat e Kosovës dhe për strukturën ekonomike që e ka Kosova. Vonesa e aprovimit të ligjeve, për shembull, Ligji për rimëkëmbje ekonomike është aprovuar tek në fund të vitit 2020”, thotë Elshani.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë kanë munguar qendrat komunikuese për krizat, ku qytetarët do të mund të paraqitnin problemet apo të merrnin ndihmë. Po ashtu Elshani thotë se ka munguar mbledhja dhe menaxhimi i të dhënave në mënyrë digjitale, që politikat të bazohen në të dhëna dhe jo të ketë politika ad-hoc.
Ndihmat që qeveria e kaluar ka dhënë, sipas Elshanit, nuk kanë qenë të drejtuara direkt te qytetarët dhe shpërndarja nuk ka qenë e duhura.
“Rrjedhimisht një rënie minus 6 për qind e BPV-së së Kosovës, ka pasoja shumë të mëdha, qoftë për rritjen e papunësisë, qoftë për varfërimin e mëtejshëm të popullsisë në Kosovë. Qeveria e re ka thënë se do t’i mbështet punëtorët dhe po ashtu edhe bizneset dhe kjo është shumë inkurajuese, sepse është shumë me rëndësi që punëtorët dhe qytetarët të mbështeten drejtpërdrejt”, thotë Elshani.