Këshilli i Sigurimit vendosi që të vazhdojë punimet e seancës virtuale për Kosovën përkundër kërkesës së Rusisë që Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla ta heqë flamurin e Kosovës nga prapavija.
Pas fillimit të seancës, kryediplomatja Donika Gërvalla nuk ka ndryshuar prapavijën dhe flamuri i Kosovës po qëndron sërish prapa saj në ambientin ku ajo po qëndron. Zahir Tanin, Përfaqësuesi Special i Sekretarit Gjeneral në fjalën e tij përmbledhi ngjarjet e gjashtë muajve të fundit, si zgjedhjet e fundit parlamentare, zgjedhjen e presidentes dhe situatën me pandeminë.
Përfaqësuesi i Rusisë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që po mbahet për Kosovën ka kërkuar nga udhëheqësi i seancës që Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla të heq flamurin e Kosovës mbrapa saj ose të ndryshojë ambientin.
“Ne nuk jemi kundër ndaj përfaqësuesve të Kosovës, megjithatë dua të ndaj faktin që zonja Donika Gërvalla është ulur para flamurit të Kosovës. Kosova nuk është e njohur si shtet por vetëm si territor, prandaj kërkojmë që për të vazhduar prezantimin ajo ose të ndryshojë pamjen prapa ose të heq flamurin në mënyrë që të vazhdojmë tutje”, tha përfaqësuesi rus.
Ndaj kësaj kërkese të Rusisë, ka reaguar përfaqësuesi i Britanisë së Madhe duke thënë se nuk shohin arsye që të kryediplomatja kosovare të ndryshojë pamjen nga ku do të prezantojë. “Ky nuk është një takim zyrtar dhe ne nuk shohim ndonjë arsye që ministrja Gërvalla të ndryshojë pamjet mbrapa për të vazhduar prezantimin”, tha përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar.