Ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Social Demokratike, Dardan Sejdiu, ka reaguar pasi Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë që të inicioje rast në drejtim të veprës penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”. Për Sejdiun, interesi publik duhet të jetë kryefjala e diskutimit publik.
Sejdiu ka thënë se gjatë angazhimit të tij në subjektet politike VV dhe PSD ka qenë aktiv në mbrojtjen e interesit publik duke bërë beteja publike kundër kontratave që pushtetet e kaluara kishin bërë me kompani private.
Ai ka theksuar se gjatë Qeverisë Thaçi kanë publikuar kontratën me “Bechten Enka”, kanë publikuar fakte e dokumente për privatizimin e KEDS-it, dhe ka iniciuar interpelanca e hetime për kontratën me “Contour Global”.
Ish-anëtari i Vetëvendosjes tregon se gjatë gjithë këtyre rasteve kanë pasur informacione nga zyrtar të ndryshëm shtetëror.
Postimi i plotë i tij:
“Gjatë angazhimit tim në subjekte politike VV dhe PSD kam qenë aktiv në mbrojtjen e interesit publik dhe kam bërë beteja publike kundër kontratave që pushtetet e kaluara kishin bërë me kompani private! Kemi publikuar kontratën e Qeverisë Thaçi me Bechtel Enka, kemi luftuar privatizimin e KEDS dhe kemi publikuar fakte e dokumente, kam inicuar interpelanca e hetime për kontratën me Contour Global!
Në krejt këto raste kam pas informacione nga zyrtar të ndryshëm shtetëror të cilët kanë qenë të bindur sikur unë e shumë të tjerë që duhet mbrojtur interesin publik!
Edhe tash, interesi publik duhet të jetë kryefjala e diskutimit publik!”