Shtesat prej 30 eurove mbi pensionin bazë janë zbritur sot dyfish me vendim të Qeverisë së Kosovës.
Në mbledhje Qeveria Kurti ka marrë vendim për uljen e shtesave të pensioneve për 20 euro në krahasim me tre muajt e fundit.
Në janar të këtij viti, qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti kishte vendosur të paguante 30 euro shtesë mbi pensionin bazë për pensionistët.
Tani e tutje, përfituesit e skemës së pensioneve do të marrin vetëm 10 euro shtesa mbi pensionin bazë nën vlerën prej 100 eurove, shkruan Ballkani.info.
Për këtë ka reaguar sonte ashpër kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“S’po muj me besu që të hiqen 20 euro shtesa nga pensionet, në këtë kohë kaq të vështirë. Jonjerëzore!”, ka shkruar Haradinaj.
Kurti, gjatë dy fushatave të fundit elektorale, ka vënë theks tek përmirësimi i skemave sociale. Ka premtuar rritjen e pensioneve dhe kategorive të tjera përfituese nga skemat sociale të ekzekutivit. Para se të bëhej kryeministër, Kurti kishte premtuar dyfishimin e pensioneve minimale.