FC Drita vazhdon të mbetet klubi me më së shumti pikë në renditjen e Evropës për klube. UEFA ka publikuar listën e re të klubeve që janë paraqitur në arenën ndërkombëtare, derisa gjilanasit janë bindshëm skuadra më e mirë në Kosovë, shkruan Gazetasheshi.com.
Pas kalimit të dy rundeve në Ligën e Evropës dhe kualifikimit në fazën e tretë të këtij kompeticioni ‘bardhekaltërit’ renditen në pozitën e 296 me 3500 pikë.
Një sukses ky i jashtëzakonshëm për Dritën që prej kohësh duket se ka ‘liberalizuar vizat’ për Evropë dhe tashmë e ka trasuar këtë rrugë.
Pas kampionëve në fuqi vjen FC Prishtina, e cila renditet në pozitën e 356 me 2250 pikë.
Kryeqytetasit ishin të penalizuar këtë edicion, pasi që nuk arritën ta zhvillonin asnjë ndeshje për shkak të rasteve me “Covid-19”, kështu që nuk lëvizin fare në klasifikim.
Feronikeli qëndron në pozitën 387 me 1500 pikë. Gjilani renditet në pozitën e 413 me 1000 pikë, ndërkohë Trepça ’89 ndodhet një pozitë më poshtë me 500 pikë.
Klubi më i suksesshëm shqiptar vazhdon të mbetet Shkëndija e Tetovës. ‘Kuqezinjtë’ renditen në pozitën e 133 me 9000 pikë të grumbulluara, teksa më pas vijnë Kukësi e Partizani.
LISTA E UEFA
Nga Shqipëria në vendin e parë është Kukësi që pozicionohet në vendin e 194- t. Verilindorët kanë 6000 pikë dhe janë përpara Partizanit. Në vendin e dytë Partizani me 4250 dhe më pas Laçi, Skënderbeu. Vetëm në vendin e 338 Tirana që ka 2750 pikë njëlloj si Teuta.
Në renditjen mbarëshqiptare, në vendin e parë qëndron Shkëndija e Tetovës, që renditet në vendin e 133 me 9000 pikë të grumbulluara. Kuqezinjtë që luajnë në elitën e Maqedonisë së Veriut, për vite me radhë, kanë luajtur në kualifikueset e për Kupat e Europës, ku i kanë shkuar shumë afër kualifikimit, por janë ndalur në fund, nga skuadra të mëdha si Milani apo Tottenham.
Në klasifikimin e përgjithshëm lider vazhdon të mbetet skuadra gjermane Bayern Munich, e pasuar nga Real Madrid dhe Manchester City që ngritet në pozitën e tretë.
Barcelona zbret në pozitën e katërt, ndërkohë që top-10 nuk ndryshon shumë.