Shtimi i forcave kroate në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe paralajmërimi i ministrit të Jashtëm kroat, Gordan Grliq Radman, për ngritjen e një kampi ushtarak në Kosovë për stabilitet të rajonit, ka acaruar jo vetëm presidentin serb Aleksandar Vuçiq, por edhe liderin e radikalëve serb, kriminelin e luftës Vojislav Sheshel.
Lideri i radikalëve serbë, Vojislav Sheshel, ka deklaruar për mediat serbe se “kroatët po duan të ndërtojnë bazë ushtarake në shtetin e ‘rremë’ të Kosovës, në mënyrë që t’u japin instruksione që serbëve në Kosovë t’ua bëjnë atë që ua kanë bërë serbëve në Republikën Srpska dhe në Krainë [Kroaci]”.
“Kroatët duhet të paralajmërohen se ajo që po bëjnë nuk është e ligjshme. Ushtarë legalë në Kosovë, kur janë ndërkombëtarë, janë vetëm ata që dërgohen në kuadër të KFOR-it, kurse ata që shkojnë jashtë KFOR-it dhe që bëjnë një bazë të veçantë kroate, për neve kanë statusin e një skuadre banditësh”, ka thënë Sheshel, transmeton Telegrafi.
Më tej ai ka kërcënuar edhe me sulm raketor ndaj një baze eventuale ushtarake kroate në Kosovë.
“Le të mos habiten nëse një ditë i gjuajmë me raketa dhe shkatërrojmë gjithçka atje, kurse ata që eventualisht do t’i zëmë robër dhe do t’i dënojmë si banditë me burgime të gjata. E drejta ndërkombëtare nuk i mbron ata”, ka thënë Sheshel.
Ai tha se ushtarët kroatë rrezikojnë kokën e tyre, prandaj më mirë të mos shkojnë [në Kosovë].
Ai madje ka thënë si një ndëshkim, për shkak të kësaj shqiptarët duhet të fshihen, duke theksuar se kur e thotë këtë nuk mendon në popullësinë civile dhe njerëzit e zakonshëm.
Ndryshe, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka thënë se shtimin e forcave ushtarake kroate në Kosovë nuk e shohin si provokim ndaj Serbisë.
Duke komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se Kroacia po “poshtëronte Serbinë” duke rritur numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it, presidenti kroat tha se nëse do ta dinte se Serbia shqetësohej aq shumë, do të kishte biseduar me homologun serb për këtë çështje.
Ministri i Jashtëm kroat Gordan Grliq Radman, gjatë vizitës së kësaj jave në Kosovë, në takim me Ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka shprehur gatishmërinë e shtetit të tij të ndërtojë bazë ushtarake në Kosovë.
Ministri kroat ka thënë se ky projekt synon të rris sigurinë në rajon.