Zëvendëskryeministri i Qeverisë Kurti, Besnik Bislimi, para gjashtë ditësh në raportimin para Komisionit kuvendar për Punë të Jashtme ka deklaruar se nuk kanë pranuar thuajse dokumentacion nga ish-qeveria Hoti.
Por ndaj kësaj deklarate thujase pas një jave, ka reaguar ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili thotë se me rastin e dorëzimit të detyrës, kryeministri të ri Kurti i janë dorëzuar të gjitha materialet e nevojshme, përfshirë procesin e dialogut, të protokolluara (siç mund të shihet nga dy shkresat).
Ai thotë se kryeministri aktual ka pranuar të gjitha informatat për të gjitha zhvillimet në procesin e dialogut, shkruan Reporteri.net.
“Unë mbetem i hapur dhe i gatshëm për çdo informatë për këtë proces gjatë kohës sa kam shërbyer si kryeministër i vendit”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Postimi i plotë i Hotit:
SQARIM
Me rastin e dorëzimit të detyrës, kryeministri të ri i janë dorëzuar të gjitha materialet e nevojshme, përfshirë procesin e dialogut, të protokolluara (siç mund të shihet nga dy shkresat).
Më 30 prill, unë kam publikuar sqarimin e plotë lidhur me materialet e dorëzuara që i përkasin dialogut me Serbinë. Këtë sqarim po e publikoj edhe një herë.
* * *
MBI PROCESIN E DIALOGUT NË QEVERINË PARAPRAKE
1
Qeveria paraprake ka qenë plotësisht e përgatitur për procesin e dialogut.
Në fillim të mandatit është përgatitur dokumenti “Pozicioni i Republikës së Kosovës për dialog me Serbinë”, ku janë elaboruar në detaje, në mes tjerash, këto argumente:
(1) Përhershmëria e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka vulosur pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008, që nënkupton se pavarësia e Kosovës është në pajtim me ligjet ndërkombëtare dhe rrjedhimisht është e pakthyeshme dhe e përhershme.
(2) Integriteti territorial i Kosovës është i pa negocueshëm: Kjo përjashton çdo formë të dialogut për shkëmbime territoriale.
(3) Organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket: Karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe çështje të tjera që sigurojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës si një i tërë nuk mund të jenë pjesë e dialogut.
(4) Marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke, njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, anëtarësimin në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, dhe hapja e rrugës për procesin integrimit euro-atlantik të Kosovës.
Ky dokument është dakorduar në Qeveri, është prezantuar në Kuvendin e Kosovës, është diskutuar me shoqërinë civile, dhe është dorëzuar tek partnerët ndërkombëtarë.
Është mbajtur Samiti i Parisit me Presidentin Macron dhe Kancelaren Merkel, janë zhvilluar vizita në Bruksel dhe kryeqytetet e vendeve kyçe të BE-së për të siguruar mbështetje për këtë qëndrim të Kosovës, si dhe janë bërë koordinimet e nevojshme me SHBA.
Qeveria e ka themeluar “Këshillin e Ekspertëve për Dialog me Serbinë” dhe ka emëruar Koordinatorin për Dialog. Një numër i ekspertëve me përvojë janë angazhuar në dialog, të mbështetur edhe nga Qeveria Norvegjeze dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Këshilli i Ekspertëve ka përgatitur analizat e nevojshme për secilën temë të dialogut.
2.
Mbi bazën e dokumentin mbi pozicionin e Kosovës dhe analizave të Këshillit të Ekspertëve për dialog ka nisur procesi i dialogut, një proces i kufizuar në kohë dhe i orientuar drejt rezultatit final që është njohja reciproke. Janë mbajtur disa takime në Bruksel në nivel të lartë dhe në nivel të koordinatorëve për dialog.
Tema e parë e procesit të dialogut ka qenë “të pagjeturit”. Pastaj është diskutuar për tema të tjera përfshirë obligimet financiare (ku hyjnë dëmet e luftës, pensionet, kursimet në banka etj.). Për të gjitha këto tema, Këshilli i Ekspertëve ka përgatitur analizat e nevojshme të cilat janë mbrojtur në takimet në Bruksel.
Dakordime të caktuara janë arritur në dialog. Por, ka vlejtur parimi se nuk ka asnjë dakordim final pa u dakorduar për të gjitha çështjet, para se gjithash për “për njohjen reciproke” si çështje kryesore e marrëveshjes finale.
3.
Procesi i dialogut ka qenë plotësisht transparent. Para dhe pas çdo vizite në Bruksel kam raportuar në Kuvendin e Kosovës. Pata kërkuar themelimin e një komisioni parlamentar të veçantë për mbikëqyrje të dialogut, të cilin do ta kryesonte opozita. Por, ka qenë kërkesë e opozitës së atëhershme që të raportohet drejtpërdrejt në seancë plenare. Kam mbajtur një seri të tryezave me shoqërinë civile, ku kam prezantuar qëndrimet, progresin dhe sfidat në dialog.
4.
Të gjitha dokumentet e dialogut në qeverinë paraprake i janë dorëzuar kryeministrit aktual me rastin e dorëzimit-pranimit të detyrës. Një folder i protokolluar formalisht përmban në veçanti këto dokumente:
– Pozicioni i Republikës së Kosovës në dialog me Serbinë,
– Raport i detajuar (29 faqe) mbi kronologjinë e të gjitha zhvillimeve lidhur me dialogun (samitet, takimet në Bruksel të nivelit të lartë, takimet e koordinatorëve për dialog, vizitat në Prishtinë të ndërmjetësit për dialog, komunikimi me opozitën, koordinimi me Washingtonin, vizitat në vendet e Quintit për konsultim lidhur me dialogun, takimet me ambasadorët e Quintit dhe të vendeve të BE-së në Prishtinë lidhur me dialogun, përgatitjet e bëra etj.)
– Të gjitha dokumentet e dakorduara në Bruksel në disa runde të dialogut.
– Dokumentin voluminoz përgatitor për dialog lidhur me obligimet financiare të Serbisë ndaj Kosovës.
– Vendimi i Qeverisë për Këshillin e Ekspertëve për dialog,
– Marrëveshjet me Qeverinë Norvegjeze dhe Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për mbështetje për Këshillin e Ekspertëve për dialog.
Kryeministri aktual ka pranuar TË GJITHA informatat për TË GJITHA zhvillimet në procesin e dialogut. Unë mbetem i hapur dhe i gatshëm për çdo informatë për këtë proces gjatë kohës sa kam shërbyer si kryeministër i vendit.