Ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në një prezantim që pati të martën për publikun gjermanishtfolës, bëri të qartë se prioriteti i kryesor i qeverisë Kurti, është luftimi i pandemisë dhe i korrupsionit.
Në prezantimin e saj të parë para publikut gjermanishtfolës, ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, u bëri thirrje pjesëtarëve të mërgatës kosovare në Gjermani që të vaksinohen përpara se të vijnë në Kosovë, për pushime: “Ne nuk kemi vaksina,” tha ajo.
“Deri tani kemi arritur të sigurojmë vetëm 60 mijë vaksina. E ato nuk na mjaftojnë as për dhjetë përqind të popullsisë. Tani po vjen vera dhe të gjithë do të kthehen për pushime. Prandaj ju lutem të gjithëve para se të vijnë në Kosovë që të vaksinohen”, tha Gërvalla-Schwarz.
Me këtë deklaratë, ajo bëri të qartë njëkohësisht edhe se në cilën fushë qeveria e Kosovës ka nevojë për ndihmë imediate: Atë të luftimit të pandemisë dhe konkretisht sigurimit të vaksinave. Edhe luftën kundër korrupsionit ajo e deklaroi si prioritet kyç: “Ky është shkaku se përse jemi zgjedhur, sepse ua kemi shpjeguar njerëzve se do ta shërojmë Kosovën nga kjo sëmundje”, tha Gërvalla./DW