Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar lirim të masave dhe heqje të kufizimit të lëvizjes, pasi që sipas saj, numri i rasteve ka rënë dhe se shtetet e tjera të Ballkanit tashmë i kanë hequr ato.
Përmes një konference për media, nga gastronomët u tha se masa për qëndrimin e katër personave në një tavolinë nuk pati efekt dhe se vendet e tjera po organizojnë tubimet dhe koncerte me mbi 4 mijë persona.
“Masat themi t’i lironi tani, e jo kur të kanë interesin e vet, ose jo për fushatat zgjedhore, s’duam të humbim verën e dytë. Jemi në një kohë kur kemi më pak se 1 për qind të rasteve në ditë”, është thënë tutje.
Gastronomët kanë deklaruar se Qeveria aktuale dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishin premtuar që nëse bie numri i rasteve, sfera e gastronomisë do shkonte drejt lehtësimit të masave. Sipas tyre kjo nuk ngjau dhe se rrugë e vetme është protesta.
“S’po dalim në protestë t’i dëmtojmë pronat e shtetit. Me ministrin Vitia kemi dhënë deklaratë të përbashkët ku u dakorduam që nëse bien numrat, do shkojmë drejt lehtësimit të masave. Kjo nuk ndodhi për tri javë rresht. Kemi thënë që t’i dizajnojmë masat ose t’i lirojmë ato por hasëm në vesh të shurdhër, neve na mbetet të dalim në protestë si zgjidhje e vetme”.