Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 107.258 raste nga 593.728 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.240 raste të vdekjes.
IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 101.467 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.551.
Ndryshe, në vend po vazhdon procesi i vaksinimit.
Në Qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” po vazhdon vaksinimi i personave të moshës mbi 65-vjeç. Vetëm paraditen e së hënës nga kjo kategori janë vaksinuar mbi 200 persona.
Në këtë qendër ka filluar edhe vaksinimi i 500 personave nga stafi mjekësor që u vaksinuan në Kukës.
Koordinatori i kësaj qendre, Niman Bardhi tha se deri më tani 57 mijë persona kanë marrë vaksinën antiCOVID-19.
Një ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka takuar ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq.
Gjatë këtij takimi, është nënshkruar marrëveshja për 10 mijë doza të Vaksinës kundër Covid-19, të cilat Kroacia i jep Republikës së Kosovës në përkrahje vaksinimit kundër COVID-19.