Tino Deep nga Përlepnica e Gjilanit është njëri ndër pionierët e parë të eventeve muzikore të zhanrit progressive house që datojnë nga vitet e hershme të të 2000-tës,
Tino Deep është fenomeni nga Kosova, të cilit puna veç në Kosovë nuk i është njohur. Është intervistuar shumë shpesh nga platforma muzikore internacionale si ato ruse, spanjolle dhe argjentinase, por jo edhe nga mediat e vendit tonë.
“Dëgjo me sy dhe shih me vesh”, është motoja e tij. Ai gjithashtu thotë se e pëlqen jetesën në shtëpinë e rrethuar me natyrë, vendi në të cilin e kalon pjesën më të madhe të kohës.
“Duke dëgjuar lisat, erën, zogjtë dhe duke shijuar perëndimin e diellit, ndihem i relaksuar”, tha Deep. Viti 2007 ishte viti kur Tino u njoh ndërkombëtarisht, në të cilin vit ka lansuar sete dhe mikse në platforma të ndryshme. Kurse tani ai numëron rreth 300 mikse dhe sete online.
Ofertat që Tino të performojë edhe jasht kontinentit të Evropës, nuk kanë munguar asnjëherë, por, liberalizimi i vizave ka qenë një problem me të cilin është përballur ai, janë këto kërkesa për të cilat Tino gjithmonë ka kthyer përgjigje negative, në pamundësi për të marrë pjesë në eventet atje.
“Kam humbur mundësi shumë të mira për evente mbi këtë lloj të muzikës jashtë vendit si në Amerikën Jugore, Azi por edhe në Afrikë, e gjitha kjo si pasojë e vizave”, tha ai.
Përndryshe, ai është edhe dj në disa radio online të njohura, si frisky radio, di.fm, Proton radio dhe Golden Wings Music, në të cilat ka edhe show-n e tij, ‘’Deep Vision’’, ku numëron 130 episode dhe është paraqitur me mikse ekskluzive. Duke qenë për javë me radhë, edhe si artisti i javës por edhe i muajit.
Përpos kësaj ai ka bërë mikse edhe për shtëpi të njohura të muzikës tekno, të tilla si Abstract Space, Aethereal, Hot Cue Music dhe Droid9 Recordings.
Vitet e fëmijërisë së artistit Deep
“Fëmijëria ime e hershme ka qenë një fëmijëri normale për kohën në të cilën kam qenë fëmijë unë, në vitet e hershme të 90-ta, por, ndoshta nuk do të tingëllonte dhe aq e rëndomtë për kohën në të cilën janë fëmijët në ditët e sotme”, tha artisti.
Fakti që teknologjia është duke mbizotëruar në këto ditë është për të ardhur keq, pasi sipas Deep, në fëmijërinë e tij njerëzit ishin më të lidhur me njëri tjetrin, duke luajtur bashkë, e njëkohësisht ai ishte më i lidhur me botën që e rrethon, gjë që sipas tij i ka ndihmuar në formimin individual si artist.
“Kur them kështu, i referohem faktit se gjeneratat e reja ose siç do i quaja unë IG Generations me duken më të zbrazur, më të vetmuar dhe jo aq të lidhur me njëri tjetrin dhe botën përreth,
e krejt kjo si pasojë e teknologjisë dhe përdorimit të tepruar të saj, qoftë me video games, virtual reality etj”, pohoi Deep.
Kontakti i vetëm me teknologjinë i Deep ka qenë me radio, televizion dhe Walkman.
Ai thotë se në kohën kur nuk ka qenë duke lexuar vepër letrare, dhe duke lozur me miqtë e tij ai ka dëgjuar muzikë në kanale të ndryshme.
‘‘MTV, VIVA TV, janë disa nga kanalet që kam përcjellë në atë kohë, ose duke pritur me padurim ndonjërin nga emisionet muzikore të mia të preferuara në Radio Am/Fm , e duke qëndruar deri natën vonë që të dëgjoj top 10 këngët qoftë nga zhanri i muzikës Elektronike, Dance, Heavy Metal, Rock, Electro Pop/Dance, tha ai.
Ai tregon për ditët e shkollës, kur mblidheshin me miqtë dhe ai luante këngët të cilat i incizonte në ‘‘kaseta’’, por, nuk është se pritej me ndonjë entuziazëm të madh, pasi shija e tyre ishte tjetër dhe që sipas Tinos-s ndonjëherë ai i dukej i çuditshëm.
“Qysh në atë kohë kam pasur tendencë që të përhap atë që është e bukur për veshin” shtoi Deep.
Një gjë e tillë ka vazhduar edhe në ditët e adoleshencës në vitet e vonshme të 90-tës, ku filloi dhe qasja në internet caffe, në të cilin vend Tino kaloi një kohë të konsiderueshme ku eksploronte botën e muzikës, duke veçuar atë të elektronikes, qoftë trance, techno, drum n’base apo progressive house. Muzikën e tillë ai e ngarkonte në CD-jat e tij dhe e luante në evente në Gjilan, të cilat ai i organizonte me idenë që të servonte këtë lloj muzike e kulture, që sipas tij kishte shumë peripeci dhe sakrifica, pasi publiku shfaqte stereotipe të ndryshme rreth stilit te artistit dhe muzikës.
Por, pavarësisht kësaj, Tino ka pasur përkrahjen e njerëzve të cilët ai i quan si mendje hapur dhe shoqërisë së tij, pa të cilët ai do ta kishte të vështirë ta realizonte atë që e donte më së shumti.