Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka ndryshuar postimin në rrjetin social Facebook, në të cilin paralajmëronte mbajtjen e dasmave dhe ahengjeve nga 15 qershori.
Sipas deklaratës së publikuar më herët nga AKK, lokalet do të lejohet të punojnë deri në orën 24:00, dhe se pritet lejimi i organizimit të dasmave nga 15 qershori.
“Tek lirimi i masave, pas konsultimeve me kryetarët e komunave, brenda kësaj jave do të vlerësohet situata dhe pritet të hiqet ora policore dhe nga mesi i qershorit do të lehtësohen edhe masat lidhur me ahengjet. Pritet që lokalet të lejohen të punojnë deri në ora 12 e natës ndërsa organizimi i dasmave pritet të lejohet nga 15 qershori”, shkruante në fillim AKK.
Por pas ndryshimi që i është bërë shkrimit, nuk thuhet se dasmat do të lejohen nga data 15 qershor dhe nuk dihet nëse me të vërtetë do të lejohet organizimi i dasmave.
“Tek lirimi i masave, pas konsultimeve me kryetarët e komunave dhe nëse situata është stabile, brenda kësaj jave do të vlerësohet situata dhe mund të hiqet ora policore dhe të lehtësohen edhe disa masa tjera. Pritet që lokalet të lejohen të punojnë deri në ora 23.00.”, shkruan AKK, pas ndryshimit të shkrimit.
Ndryshe sipas raportimeve të para AKK dhe Ministria e Shëndetësisë janë pajtuar që të hiqet ora policore dhe të bëhet lehtësimi i disa masave, por as në njoftimin e MSH nuk ceket që dasmat do të lejohen.