Reshjet e ditëve të fundit në disa fshatra të komunës sonë ishin të mëdha, ku për pasojë banorëve iu shkaktuan dëme të mëdha në shtëpi, oborre, rrugë e fusha të punuara. Njëri ndër fshatrat më të prekur është Pogragja, ku sot bashkë me kryetarin e degës së PDK-së në Gjilan, z.Qemajl Mustafa ishim në vizitë për të parë nga afër gjendjen e pas vërshimeve.
Në takim me banorët u njoftuam nga afër për shqetësimin që këta banorë e kishin perjetuar atë ditë, duke i evakuuar fëmijët, të moshuarit e të sëmurët nga shtëpitë e tyre, pasi niveli i ujit ishte i lartë, diku rreth 1.5 m dhe shumë shtëpi ishin përmbytur në ujë.
Nga gjithë kjo që ne sot e pamë dhe po shihet edhe në këto foto e kuptojmë që këta qytetarë të Pogragjës kanë nevojë për ndihmën reale nga institucionet tona. Bëjmë apel komunës së Gjilanit respektivisht kryetarit Haziri që sa më parë t’u dalë në ndihmë këtyre banorëve të cilit kishin jashtëzakonisht shumë nevojë, të formohet një komision për vlerësimin e të gjitha dëmeve në të gjitha fshatrat e komunës sonë si dhe të fillojë të hartoj një plan parandalues, duke investuar në rregullimin e shtretërve të lumenjve, që këta banorë mos të jetojnë me rrezikun permanent nga vërshimet dhe të mos lihen në dorë të fatit, pasi një gjë e tillë është e paparashikueshme por ka mundësi parandalimi. Banorët duhet të jenë të sigurt, edhe nëse nuk ndodhin më kurrë vërshime, ata nuk duhet të jetojnë me këtë frikë sepse kjo ndikon edhe në planifikimin e investimeve për të ardhmen në pronat e tyre, që në kohë mund të jetë një dëm edhe më i madh se dëmet e shkaktuara nga ky vërshim.
Komuna është përgjegjëse edhe për raste të tilla, sidomos duhet ta ketë me prioritet fshatin Pogragjë pasi që nuk është ky vërshimi i parë i këtij niveli.
Andaj apelojmë te kryetari i komunës qe t’i marrë të gjitha masat që të gjithë të japim kontributin tonë, në bashkëpunim me ekspertët dhe me banorët, duke shfrytëzuar të gjitha kapacitetet tona për ta zgjidhur këtë problem jetik për Pogragjën.
◦