Kreu në detyrë i PDK-së e deputeti i kësaj partie, Enver Hoxhaj, në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për arsimin, ka thënë se qeveria “Kurti” nuk është duke e kuptuar rëndësinë që ka kjo temë.
Hoxhaj tha se në Kuvend është diskutuar shpesh për humbje jete nga pandemia, por jo për humbjen e një gjenerate në arsim.
“Në këtë Kuvend shpeshherë e kemi pas humbjen e jetës, po nuk e kemi diskutuar se si po humbet një gjeneratë në arsim. Në 30 vjetët e fundit tri herë radhazi ne e kemi humbë nga një gjeneratë në arsim, në vitet ’90, kur Qeveria i ka mbyllë shkollat, në vitet ’98-’99 kemi humb një gjeneratë dhe tash në këto dy vjet jemi duke e humbur një gjeneratë”, tha Hoxhaj.
Sipas tij, mungesa e kryeministrit në sallën e Kuvendit e tregon më së miri që kjo qeveri nuk e kupton rëndësinë e temës së arsimit.
“Mënyra më e mirë me tregu që kjo qeveri nuk po e kupton rëndësinë e kësaj teme është mungesa e kryeministrit. Çka nënkupton humbja e një gjenerate në arsim, për këtë ka analiza të ndryshme”, deklaroi Hoxhaj.
“Qeveria ‘Kurti’ nuk ka as mendim politik, as strukturor se çka duhet të ndodhë në sistemin tonë arsimor, për këtë arsye e kemi ftuar këtë debat”, tha tutje Hoxhaj.