Nga 15 qershori në Kosovë pritet të lejohen ahengjet e ndryshme përfshirë edhe dasmat. E grupet punuese të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit janë dakorduar për manualin i cili do të implementohet për sallat e dasmave, klubet e natës, si dhe pishinat.
Të gjithë këta sektorë do t’i përshtaten manualit ekzistues ku në 30% të hapësirave të mbyllura do të lejohet puna, e që i bie në 100 m2 do të lejohen 40 persona.
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, konfirmoi për Kosovapress se janë dakorduar që në 30% të sipërfaqes së hapësirave të mbyllura të zhvillohen ahengjet.
“Në takimin e fundit ne jemi dakorduar që e para diku 30-35% të sipërfaqes së sallave të lëshohen, duke ju përshtat manualit ekzistues. Manuali ekzistues tregon që në çdo 10 metër katrorë janë 4 veta, kështu që nëse e marrim ne na del që në çdo 100 metër katror 40 persona. Kështu me 30% e kësaj ne jemi dakordua që mund të zhvillohen ahengjet edhe në hapësira të mbyllura”, thotë ai.
Sogojeva thotë se nga mosmbajtja e dasmave nuk u ndikuan vetëm bizneset ku janë zhvilluar dasmat dhe ahengjet. Sipas tij ndërmarrjet tjera që ndërlidhen me dasmat kanë pasur humbje diku rreth 1 miliard euro.
Gjithashtu ai thotë se mjetet e parapara nga Ligji i Rimëkëmbjes ende nuk janë ndarë për këtë sektor, ani pse se bizneset e kësaj fushe tash e 550 ditë janë të mbyllura.
“Jemi si veprimtari më e atakuar, ka raste në disa veprimtari, disa biznese ka edhe 550 ditshin e kanë kaluar edhe asnjë ditë nuk kanë punuar dhe shteti ende nuk e gjet atë formën se si t’iu ndihmojë. Prej 220 milionëshit prej Ligjit të Rimëkëmbjes ende nuk ka filluar as me u nda… Nëse i shikojmë humbjet unë e kam dhënë një shifër afër 1 miliard vetëm me këto të dasmave lidhen, se nuk është çështja vetëm se nuk po mbahen një dasmë, por në dasmë lidhën shumë faktorë të tjerë, qumështi, djathi, muzika, pastaj shërbimet, pijet do të thotë fshati krejt ajo periferia lidhet me këtë”, thotë ai.
Qeveria ditë më parë lehtësoi masat antiCovid, duke hequr orën policore dhe duke i lejuar sektorit të gastronomisë të punojë deri në ora 23:00. Ndërsa nga 15 qershori, nëse nuk ka rritje të rasteve me Covid-19 do të lejohen edhe ahengjet.