Fundi i javës që lamë pas nuk solli lajme të mira për kosovarët. Vetëm ditë e diel aksidentet në trafik morën jetën e 5 qytetarëve.
Një tragjedi e madhe ndodhi në fshatin Koshare të Ferizajt, ku katër anëtarë të një familje mbetën të vdekur, më i riu një 12-vjeçar.
“Rreth orës 15:37 në rrugën magjistrale Ferizaj –Shtime, në fshatin Koshare të Ferizajt, ndohi një aksident komunikacioni rrugor, ku të përfshira ishin dy automjete civile të udhëtarëve. Si pasojë kanë vdekur 4 persona, ndërsa një është lënduar.
Personat që humbën humbën jetën në këtë aksident janë katër anëtarë të një familje nga Shtimja e cila ditën e sotme e ka shpallur ditë zie.
Kështu është bërë e ditur përmes një postimi në faqen e Komunës së Shtimes në “Facebook”.
Po ashtu të gjitha angazhimet institucionale të parapara për këtë ditë pezullohen si dhe të gjithë flamujt që janë të vendosur në institucionet komunale, do të ulen në gjysmështizë.
Njoftimi i plotë:
Në mbështetje të Nenit 13 dhe 58, të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, si dhe Nenit 54 i Statutit të Komunës së Shtimes, pas aksidentit tragjik në komunikacion, ku humbën jetën 4 anëtarë të familjes Ramadani nga Shtimja, kryetari i Komunës merr këtë:
VENDIM PËR SHPALLJE DITË ZIE
1. Më 07.06.2021, ditë e hënë, shpallet ditë zie në komunën e Shtimes,
2. Të gjitha angazhimet institucionale të parapara për këtë ditë pezullohen,
3. Të gjithë flamujt që janë të vendosur në institucionet komunale, do të ulen në gjysmështizë.
Naim Ismajli
E pak orë më vonë, në rrugën magjistrale Pejë-Prishtinë, një vetaksident mori jetën e një 23-vjeçari nga Klina.
Lajmi u bë i ditur për Reporterin nga Daut Hoxha, derisa ka njoftuar se policia ka dalë në vendin e ngjarjes pas aksidentit.
“Rreth orës 19:00, në rr. Pejë -Prishtinë është raportuar për një aksident të rëndë trafiku, ku dyshohet se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe është vet-aksidentuar për vdekje”, tha Hoxha.