Këtë të hënë ka mbajtur takimin e parë Grupi Punues për Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë e ku prezent ishte edhe Kryeministri Albin Kurti e Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Para anëtarëve të këtij grupi, Kurti tregoi se mëtohet të përgatitet koncept dokumenti mbi mekanizmin për dokumentimin e krimeve që kanë ndodhur 22 vite më parë në Kosovë.
Tutje në fjalimin e tij i pari i ekzekutivit tha se përveç krimeve të luftës, do të adresohen edhe krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit.
Në një prononcim për Gazeta Online “Reporteri.net”, Furtuna Sheremeti, këshilltare ligjore e Kryeministrit Kurti, ka sqaruar se instituti do të themelohet me ligj e jo siç është themeluar në të kaluarën me vendim të Qeverisë.
“Mekanizmi që po tentojmë të themelojmë gjatë Kurti II fillimisht konsiderojmë që duhet të themelohet me ligj, e jo me vendim të ministrit siç ka ndodhë deri më tash. Ideja kryesore e këtij instituti është që t’i shërbejë kauzës humanitare, e të shkojë përtej politikës”, tha Sheremeti.
Në sytë e Qeverisë, procesi i dokumentimit të krimeve të luftës do të jetë i gjatë e aspak i lehtë.
“Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi – duhet të shkojnë përtej programeve politike dhe të kenë në qendër të vëmendjes bartësit e dëmit, respektivisht viktimat. Do të jetë proces i gjatë dhe aspak i lehtë, por konsiderojmë që vetëm duke qenë së bashku dhe duke pasë për bazë interesin e përgjithshëm shoqëror – mund të bëjmë diçka të vlefshme për këtë kauzë”, tha Sheremeti për Reporteri.net.
“Histori themelimesh”
Në vitin 2011, ish-ministri i Drejtësisë në Qeverinë e drejtuar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, Hajredin Kuqi, me anë të një vendimi qeveritar kishte themeluar Institutin për dokumentimin e krimeve serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit.
Atëbotë udhëheqës i kësaj iniciative ishte profesori tashmë i ndjerë i së drejtës ndërkombëtare, Zejnullah Gruda.
Instituti për Hulumtimin e Krimeve të luftës që ishte aktiv deri në vitin 2018, kishte botuar disa libra mbi gjenocidin serb, personat e pagjetur e shkatërrimin e monumenteve dhe pronave të shqiptarëve.
Megjithatë, Instituti pushoi ekzistencën e tij gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, nën arsyetimin se nuk e kishte bërë punën si duhet.
Dy vite më vonë, kur Kurti u votua për herë të parë si kryeministër shpalosi planin e Qeverisë së tij për të themeluar me anë të ligjit një institute të ngjashëm, që do të kishte fond të financimit e staf profesional, për mungesën e të cilave ishin ankuar ish-anëtarët e Institutit të shuar nga Qeveria Haradinaj.
Ndonëse jetëshkurtre, Qeveria Kurti pati filluar procedurën e themelimit të një ekipi punues që do të përgatitste një analizë mbi procesin e themelimit të Institutit, e cila ndërmarrje u vazhdua edhe në kohën e Qeverisë së Avdullah Hotit.
Kjo e hëne shënon ditën kur Qeveria Kurti mbajti takimin e parë të grupit punues për krijimin e institutit për krimet e luftës në vend.
Por, ndryshe nga herët e kaluara, kësaj radhe Qeveria e Kosovës nën drejtimin e Kryeministrit Kurti ka paraparë fond të posaçëm për Institutin, veprimtaria e të cilit pritet të rregullohet me anë të ligjit.
Mes shpresave e skepticizmit
Në fjalimin e sotshëm, Kryeministri Kurti theksoi se janë të vetëdijshëm që adresimi i krimeve të kryera në Kosovës është larg nga ajo që duhet.
Sipas të parit të Qeverisë ky institut do të koordinohet me institutet e tjera në rajon dhe me gjerë.
“Megjithatë, ajo çka dëshiroj të përmend shprehimisht, është rëndësia e madhe e kësaj nisme, dhe fakti që ky është momenti i fundit për ne. Ne nuk e kemi luksin që të gabojmë kësaj radhe.
Nuk e kemi mundësinë të eksperimentojmë e të dështojmë në eksperimentet tona. Sepse, qëllimi i të gjithë neve besoj që është i përbashkët, e ka të bëjë me institucionalizimin, me mbrojtjen dhe me ruajtjen e kujtesës kolektive, e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por edhe gjithë gjeneratave të ardhshme pas nesh”, tha Kurti.
Fondi për të Drejtën Humanitare, që nuk e pranoi ftesën e Qeverisë për të qenë pjesë e themelimit të institutit, vlerëson se ky hap është i mirëseardhur.
Megjithatë nga FDHK i thanë Reporteri.net se mbetet të shihet se çka do të bëhet ndryshe kësaj radhe.
“Çdo nismë e cila do ti kontribuon një dokumentimi objektiv dhe të pa anshëm është e mirëseardhur. Mbetet të shihet se çka do të bënë ndryshe ky institut, tani në këtë moment është herët për të dhënë ndonjë vlerësim për ndonjë punë e cila ende nuk ka filluar. FDHK ka pasur ftesë nga Ministria e Drejtësisë që ti bashkohet grupit punues por nuk e kemi pranuar për arsye se ne si organizatë e shoqërisë civile dëshirojmë që ta ruajmë pavarësinë e veprimtarisë sonë dhe në parim nuk jemi pjesë të nismave që vijnë nga politika, por natyrisht nga jashtë nëse do të ketë nevojë mund t’i ofrojmë përkrahjen tone”, thuhet në përgjigjen e FDHK për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.
Ndërkaq profesori universitar, Milazim Krasniqi, vlerëson se është bërë pak gjatë 20 viteve të fundit për të ndërtuar një kujtesë kolektive mbi të kaluarën tragjike të luftës së fundit.
E fajin për këtë ai ua lë ndërkombëtarëve, më të cilët tregohet i ashpër në deklarimin e tij për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.
“Nuk kam ndonjë koment, nuk pres asgjë. Për 20 vjet nuk kane bërë asgjë, as këta nuk do të bëjnë asgjë. Aty ku të huajt kanë vendosur vija të kuqe, këta nuk prekin. Të huajt duan që gjithë ajo tragjedi të harrohet, në emër të pajtimit. Janë të pafytyrë, ndërsa tanët ua kanë mbajte ison tërë këto vite. Veç kanë gënjyer”, tha Krasniqi të hënën.
Pjesë e nismës së Qeverisë Kurti përveç anëtarëve të ekzekutivit, pjesë janë edhe institucione të tjera publike, përfaqësues të OVL të UÇK-së, përfaqësues nga shoqëria civile, KMLDNJ, njohës të së drejtës penale e persona të tjerë që gjatë jetës së tyre janë marrë me dokumentimin e krimeve serbe. /Reporteri.net/.