Gjilan, 21 nëntor 2016 – Komuna e Gjilanit ka shënuar sot 20-vjetorin e ndarjes tragjikisht nga jeta të prof. dr. Xhavit Ahmeti.
Fillimisht, kryetari Lutfi Haziri me bashkëpunëtorët kanë bërë homazhe tek varri i tij në Prishtinë, për të vazhduar tek lapidari në Përlepnicë të Gjilanit.
“20-vjetori i ndarjes nga jeta të profesiorit, shkencëtarit dhe kimistit më të madh të regjionit, jo vetëm të Kosovës dhe këshiltarit të presidentit Rugova, shënon ditën më të rëndë për gjilanasit, për Përlepnicën e për shqiptarët kudo që janë. Nuk ka fjalë që e përshkruan personalitetin e një njeriu çfarë ka qenë Xhaviti. Ka qenë njeri i afërt, i buzëqeshur, i gatshëm gjithmonë që t’iu ndihmojë njerëzve”, ka thënë Haziri pas homazheve.
“Mbi të gjitha, ka qenë veprimtar i madh. Besoj shumë që po të ishte gjallë, Kosova do të ishte ndryshe. Me pjesëmarrjen aktive e si ministër në hije i presidentit Rugova për çështje të arsimit, por edhe si deputet i Gjilanit në Parlament, ai do të bëntë shumë më shumë dhe shumë më ndryshe se ne që jemi sot gjallë. Ne jemi krenarë që e kemi njohur dhe emri i tij skalitet sot në gjimnazin ku ka mësuar ai. Një njeri i tillë, nuk lind shpesh. Ne do të ecim rrugës së tij dhe këshillave të tij. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tij”, është shprehur Haziri.
Në emër të familjes ka folur vëllai i profesor Ahmetit, Qemajli, i cili tha se prezenca e kryetarit Haziri dhe strukturave komunale në këtë përvjetor, ua bënë më të lehtë dhembjen.
“I falënderoj të gjithë pjesëmarrësit që janë sot këtu në ditën përkujtimore për vëllain tim. Në veçanti, falënderoj kryetarin Lutfi Haziri dhe delegacionin e Komunës. Për neve është një ditë e rëndë që po e shënojmë 20-vjetorin e vdekjes së vëllaut tonë, por prezenca e këtyre njerëzve, e kreut të Komunës, na e bënë më të lehtë dhembjen”, tha Ahmeti.
Në fund, në shkollën fillore “Skënderbeu” në Përlepnicë është mbajtur një orë letrare kushtuar kolosit të shkencës, prof. dr. Xhavit Ahmetit.
Show original message