Mjeku i Përfaqësueses së Danimarkës ka thënë të dielën se zemra e Christian Eriksenit ishte ndalur dhe se ai “iku” para se të rikthehej në jetë me defibrilator, në Kampionatin Evropian.
Eriksen kolapsoi gjatë ndeshjes hapëse të Danimarkës në “Euro 2020” ndaj Finlandës, të shtunën mbrëma në Kopenhagë. Atij iu ofrua tretman i gjatë mjekësor para se të jepte sërish shenja jete.
“Ai ishte i humbur. Dhe ne bëmë reanimacion kardiak. Dhe ishte arrest kardiak”, ka thënë mjeku i skuadrës, Morten Boesen, që udhëhoqi punën në fushë për ta mbajtur Eriksenin në jetë.
“Sa afër ishim ne? Nuk e di. Ne e kthyem atë pas një defibi. Kjo është goxha shpejt”.
Erikseni është në gjendje stabile në një spital në Kopenhagë dhe ka folur me bashkëlojtarët përmes një videolidhjeje të dielën, kanë njoftuar zyrtarët.
Boesen ka thënë se ende nuk dihet se çka e solli kolapsin e mesfushorit.
“Nuk jam kardiolog, kështu që detajet për atë se pse ndodhi dhe gjëra të tjera do t’ua lë ekspertëve”, ka thënë ai.
Mjeku danez ka shtuar se 29-vjeçari mund të mos mbijetonte sikur ndeshja të mos ishte duke u luajtur në një turne të madh me pajisje mjekësore të nivelit më të lartë në dispozicion.
“Mendoj se kjo ishte vendimtare”, ka thënë Boesen. “Koha prej kur ndodhi e deri kur mori ndihmën është faktor kyç. Dhe kjo kohë ishte e shkurtër. Kjo ishte vendimtare”.
Trajneri i Danimarkës, Kasper Hjulmand, ka thënë se kur ka folur me Eriksenin, lojtari i Interit më shumë ishte i brengosur që bashkëlojtarët e tij të jenë mirë se për gjendjen e tij.
“Ai ka thënë ‘nuk mbaj mend shumë, por jam më shumë i brengosur për djelmoshat’. Ky është Christiani tipik… Ishte mirë ta shihje atë duke qeshur”, ka thënë Hjulmand.
Lojtarëve të Danimarkës dhe pjesëtarëve të stafit u është dhënë asistencë për të menaxhuar krizën, pas incidentit të rëndë, që në një mënyrë bashkoi botën e futbollit.
Erikseni mbeti i shtrirë në terren në fund të pjesës së parë dhe bashkëlojtarët bënë një “gardh” rreth tij derisa mjekët po ofronin ndihmën. Kjo ishte bërë për ta mbajtur sa më larg syve të opinionit skenën e rëndë.
Loja ishte suspenduar për afro 90 minuta para se të vazhdohej. Finlanda ka fituar 1:0, pasi shënoi në pjesën e dytë.
Danimarka ka anuluar stërvitjen e paraparë për të dielën, por Hjulmand ka thënë se do të bëjnë përpjekje për t’u kthyer në rutinën e zakonshme të hënën.
Ai ka insistuar se lojtarët janë të përkushtuar të përfundojnë turneun. Danimarka luan me Belgjikën të enjten.