Serbia ka qenë e gatshme t’u ofrojë vaksina kundër koronavirusit të gjithë banorëve të Kosovës, pa dallim etnie, por këtë, siç tha presidenti i këtij shteti, Aleksandar Vuçiq, e refuzoi Prishtina.
Madje, sipas tij, pos vaksinës, qytetarëve, përfshirë shqiptarët, iu ofrua edhe një ndihmë shtesë prej 3 mijë dinarësh (25 euro).
Edhe kjo, siç tha ai, u refuzua.
“Ne ofruam vaksina për të gjithë, nuk i ndamë qytetarët. Ata i ndanë”, tha ai gjatë një fjalimi për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, njofton RTS.
Sipas tij, refuzimi nga Prishtina bëri që të pamundësohet vaksinimi, edhe i serbëve, në Kosovë, prandaj u desh që qendrat mjekësore për këtë të hapen në komunat e afërta të Serbisë Qendrore.
Kosova e ka konsideruar si proces ilegal vaksinimin e organizuar nga Serbia me pretendimin se autoritetet përgjegjëse të shëndetësisë në Prishtinë nuk e kishin autorizuar procesin, në kohën kur Beogradi e kishte lansuar atë.