Ka disa ditë që fshati Malishevë e Gjilanit është bërë cak i hajnave.
Hajnat përveç se po vjedhin brenda shtëpive gjëra materiale po ashtu edhe po i frikësojnë banorët.
Për këtë shkak banorët janë organizuar dhe po bëjnë roje për t’i mbrojtur shtëpitë e tyre dhe për të marrë vesh se kush po i sulmon ato.
Bile në rojë po i angazhojnë edhe qentë e sharrit.
Selatin Rashiti, i cili është banor i fshatit tha në një intervistë në Klan Kosova, se nga hajnat është dëmtuar në vlerë prej 1 mijë e 500 eurosh.
“Vjedhja në shtëpinë time ka ndodhur para dy javësh. Jam dëmtuar në vlërë të parave dhe arit diku rreth 1500 euro. Në shtëpi nuk ka qenë askush. Vjedhja ka ndodhur rreth orës 22:00. kanë vjedhur 700 dollarë, 170 euro, unaza, dy zinxhirë, vath. Kjo është shqetësuese për fshatin sepse ka ndodhur 20 apo 30 thyerje”.
Kryetari i këtij fshati i cili ka 4 mijë banorë tha se kjo i ka shtyer ata që të bëjnë roje për ta mbrojtur secili pragun e shtëpisë së tij.
“Ne në polici i kemi të raportuara 13 raste të vjedhjeve, kurse tentime të vjedhjeve 20 apo 30 që kanë tentuar t’i thyejnë shtëpitë. Intervali kohor kur po ndodhin thyerjet është nga ora 21:00 deri në ora 23:00. Ne po traumatizohemi me zhvillimet në fshat. Dhe për këtë shkak ne jemi mobilizuar të mbrojmë secili pragun tonë”.
Ai shtoi se janë çdo herë në kontakt me policinë dhe se së bashku do të arrijnë të kapin hajnat.