Enver Hoxhaj ka dhënë dorëheqje nga funksioni i U.D së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.Hoxhaj ka bërë të ditur se deri në mbajtjen e Konventës të vetmin funksion organizativ e ushtron Grupi Punues i kësaj Konvente.
Ai ka falënderuar strukturat, anëtarët dhe aktivistët e partisë për bashkëpunimin dhe mbështetjen, me të cilët kanë arritur që goditjen e rëndë nga arrestimi i kryetarit Veseli dhe presidentit Thaçi ta kthejnë në motiv për t’u angazhuar e për të punuar.
“Pritjet nga PDK-ja janë të mëdha, në rend të parë nga strukturat dhe qytetarët e Kosovës dhe si të tillë nuk guxojmë të heshtim e të mbyllemi. Përkundrazi duhet t’i prijmë ndryshimit, opozitbërjes aktive ndaj këtij pushteti që synon ta tjetërsojë çdo të arritur të shtetit vetëm e vetëm se është bërë në kohën e udhëheqjes së PDK-së, ta ndalim degradimin e mëtejmë; ta pengojmë izolimin e Kosovës e t’i mirëmbajmë raportet me miqtë tanë perëndimorë. Duhet ta nxjerrim më të mirën nga ne, t’i hapim dyert për të rinjtë profesionistë e me vlera kombëtare e profesionale; dhe të kujdesemi për më të vjetrit që ta japin kontributin e tyre aty ku munden dhe ku duhet. Shoqëria jonë në Kosovën e vitit 2021 ka ndryshuar; këtë ndryshim duhet ta përqafojë dhe reflektojë PDK-ja por pa harruar asnjëherë bazën e themeluesve të saj që buron tek lufta e UÇK-së për liri e pavarësi.”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka inkurajuar çdo anëtar të devotshëm të PDK-së të garoj për të parin e partisë për të qenë pjesë e një procesi transparent e demokratik.
“Këtë akt nuk e shoh as si një përpjekje për t’i zëvendësuar liderët, apo kryetarin që kemi në Hagë por përkundrazi si një mesazh se vetëm një PDK e fortë, e fuqishme politikisht dhe me mbështetje të madhe në Kosovë do të thotë edhe UÇK më të fortë, udhëheqësit e saj më të fuqishëm dhe shtetin e Kosovës të përmbushur. Çdo herë kam besuar tek demokracia, tek pluralizmi, debati i hapur dhe partitë politike janë instrumenti kryesor në një sistem të tillë për ti prirë ndryshimeve. Të gjithë, pa dallim, duke nisur nga unë këtu e tek secili anëtar e ish-anëtar i PDK-së, e kemi përgjegjësi që të angazhohemi që PDK-ja të dalë më e fortë dhe të rikthehet si partia e parë e me mbështetjen më të madhe qytetare në Kosovë. T’i japim këtij vendi dhe qytetarëve të Kosovës – zhvillim, siguri, shpresë e vendime të mëdha.”, ka përfunduar ai.