Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Gjilan ka bërë me dije mospajtimin e saj që në Kuvendin Komunal të Gjilanit, sot u miratua vendimi për rrënimin e pjesës më të madhe të objektit të burgut dhe policisë.
Sipas Vetëvendosjes ë Gjilanit, objekti i burgut famëkeq është pjesë e historisë tonë kombëtare, pasi në këtë burg janë torturuar të burgosurit politik, duke përfshirë Ukshin Hotin, Rexhep Malën, Abdullah Tahirin, Fehmi Lladrovcin, Metush Krasniqin e mijëra atdhetarë të tjerë.
“Duke pasur parasysh rëndësinë historike të këtij burgu, Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Gjilan i bënë thirrje kryetarit të Komunës dhe Kuvendit Komunal, që të tërheqin vendimin e sotëm, i cili bashkë me rrënimin e këtij objekti rrënon edhe fakte të rëndësishme të përpjekjes sonë kombëtare në Anamoravë dhe më gjerë”, thuhet në thirrjen që i bënë Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan, kryetarit dhe Kuvendit Komunal të Gjilanit.