Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se sot, ka ngritur aktakuzën kundër të pandehurve V.K. (1978), M.I., B.N., V.K. (1989), F.S. dhe M.Z., pasi që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Rrëmbimi’’ nga neni 191, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, nënparagrafi 2.1, 2.2, 2.3 dhe nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, në mes datës 16 dhe 17 Shkurt 2021, rreth orës 22:00, në një villë në komunën e Novobërdës, të pandehurit e lartshënuar, në bashkëkryerje, me dashje direkte dhe me qëllim të përfitimit material, kanë marrë dhe mbajtë të dëmtuarit Z.R. dhe A.A., në atë mënyrë që të pandehurat M.I. dhe M.Z., fillimisht merren vesh që të dëmtuarit ti joshin për marrëdhënie seksuale, ku aranzhojnë dhe shkojnë në një villë, me ç’rast në momentin kur hyjnë brenda, pas një kohe aty arrijnë të pandehurit V.K. (1978), B.N. dhe V.K.(1989), ndërsa i pandehuri F.S., ka qëndruar jashtë villës duke bërë roje.
Gjatë kohës kur tre të pandehurit kanë hyrë brenda villës, të njëjtit nën kërcënimin e armës, të dëmtuarit i kanë prangosur me pranga plastike, duke iu bërë video incizime, të cilat ia kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve.
Gjithashtu, të njëjtit gjatë periudhës sa të dëmtuarit kanë qenë të mbyllur ua kanë marrë portofolet dhe ndaj tyre kanë ushtruar edhe dhunë fizike, duke i goditur me shuplaka dhe armë.
Të pandehurit me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Gjilan gjenden nën masën e paraburgimit.
Prokuroria Themelore në Gjilan, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Gjilan, që të pandehurit të shpallen fajtorë për këtë vepër penale dhe të njëjtëve t’iu vazhdohet masa e paraburgimit.