Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e palës mbrojtëse ndaj të pandehurve B. A., Sh. M., M. C., V. Sh., duke i liruar nga akuza zyrtarët e Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Gjilanit.
Të pandehurit janë akuzuar nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilan se kanë kryer veprën penale: keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 2 pika 2.2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kryetari i trupit gjykues pas shikimit me kujdes të gjitha shkresave të lëndës ka gjetur se në rastin konkret, nuk ka prova të mjaftueshme me të cilat do të mbështetet dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se zyrtarët komunalë të Drejtorisë së Inspeksionit, kanë ndërmarr të gjitha veprimet e tyre, duke dal në terren dhe duke nxjerrë aktvendimet për rrënimin e objekteve pa leje, mirëpo kompetencë për rrënimin e objekteve është ekzekutuesi, i cili ka për obligim të bëjë përgatitjen e procedurës për ekzekutimin e vendimeve të Drejtorisë së Inspeksionit.
Palët gëzojnë të drejtën e kontestimit të këtij Aktvendimi në Gjykatën e Apelit.