Ish-kryetari i asamblesë së gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons ka thënë se nuk i beson Gjykatës Speciale.
Ai tha sot para deputetëve të Kosovës se niveli i tij i besimit në Dhomat e Specializuara është i barabartë me besimin që ai e ka në gjyqësorin e Rusisë apo Iranit.
“Në Gjykatën Speciale kam po aq besim sa do të kisha pasur në një gjykatë në Rusi apo në Iran. Ky është niveli i besimit që unë e kam në Dhomat e Specilizuara të Kosovës”, tha Simmons.
Ai shtoi se ka vërejtje edhe në komunitetin ndërkombëtar karshi Gjykatës Speciale.
“Ka shqetësime të mëdha në nivel të komunitetit ndërkombëtar në lidhje me nivelin e kompetencave të Gjykatës dhe në lidhje se si po administrohet drejtësia”, tha Simmons.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të reagojë pasi tha se Gjykata Speciale “është aty vetëm për t’i ndëshkuar ish-komandantët e UÇK-së”.
Ai theksoi se në misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë punojnë shumë zyrtarë që mendojnë vetëm se si t’i mbushin xhepat me para.
“Në EULEX ka persona të ndershëm dhe të hapur që e bëjnë punën e tyre dhe që kanë ardhur në Kosovë me qëllimin për të bërë mirë. Mirëpo fatkeqësisht ka shumë zyrtarë atje që dëshirojnë t’i mbushin xhepat. Ata e shohin këtë si mundësi për të bërë para dhe s’kanë interes për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës”, tha Simmons.