Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, ka komentuar lajmin se fustani i vajzës së Kryeministrit Kurti, i parë sot në festivalin e Kanës, ka vlerë rreth 400 euro.
Matoshi, në një postim në llogarinë zyrtare të saj ka thënë se Kryeministri Kurti nuk ka shkuar në një kazino, por në një festival që është ajka e kulturës europiane e botërore dhe se fustani i vajzës së tij, i punuar nga kreatorja Lirika Matoshi është duke promovuar një lami në të cilen Kosova ka shumë talente.
Statusi i plotë pa ndërhyrje:
Një pjesë e shoqërisë tonë të gjitha t’i falin përpos suksesit. Kur jemi te filmi dhe muzika, njerzit e shohin vetëm atë pjesën formale, ecjën nëpër tepihun e kuq të Kanës, po për me arritë deri atje është një rrugë e gjatë e plotë sakrifica, sidomos nëse je nga Kosova. Artistët tanë përkundër kushteve jashtëzakonisht të kqija, përkundër pengesave e barrierave byrokratike prap kanë arritë të depërtojnë në skenat dhe festivalet më të mira të filmit dhe muzikës në botë. Ne shpesh kemi pagu vet biletat e udhëtimit e akomodimin vetëm se të dërgojmë në një festival filmin dhe kulturën tonë.Sot mas 22 vite çlirim dalin disa dhe të gjithë nivelin e diskutimit e ulin në fustanin e vajzës së kryeministrit, fustan ky i dizejnuar nga një kreatore vendore. Çka është ky diskutim idiotesk?Më së pari Kryeministri Kurti nuk ka shku në një kazino, po ka shku në një festival që është ajka e kulturës europiane e botërore, aty ku kemi arritë të shkojmë me dy filma!Pastaj Kryeministri Kurti me dijen dhe kulturën e tij të përgjithshme do të na prezantoj në mënyrën më të mirë të mundshme. Atje ka shku me prezentu Kosovën dhe në premiren e filmit të Kosovës “PA VEND” të Sajmir Karahodës i cili është në kompeticion zyrtar. Vajza e Kryeministrit vesh një fustan të një kreatore vendore dhe e promovon një lami në të cilen Kosova ka shumë talente dhe nga e cila lami do të kishte shumë përfitime. Duhet cekë që dizejnatorët për këto fustane nuk kompenzohen fare. Prandaj, gëzonu njerëz, do të duhej të brengosemi nëse Kryeministri nuk shkon në Kanë, Berlin a Venedik. Siç e thash edhe më herët aty është ajka e kulturës, dhe na duhet të jemi aty ku e kemi vendin!