Katër skuadra nga Kosova do të kenë të drejtë daljeje në arenën evropiane të futbollit prej stinorit të radhës 2022/23.
Jo që është ndonjë sukses i madh i ekipeve kosovare në vitet e fundit të pjesëmarrjes në gara evropiane, por si mundësi zgjerimi të rrjetit të pjesëmarrësve nga vetë UEFA-ja, pas krijimit të Ligës së Konferencës, që ka nisur këtë sezon 2021/22.
Kosova natyrisht ka lënë disa shtete të vogla pas saj në renditjen e koeficienteve të klubeve që i llogarit UEFA-ja për pjesëmarrjen e klubeve në gara evropiane.
Kosova ka lënë pas si shtet në koeficient të klubeve shtete si: Gjibraltari, Mali i Zi, Uellsi, Islanda, Estonia, Andorra dhe San Marino. Që në stinorin tjetër, Kosova kalon në pozitë ku 4 skuadra dalin në Evropë.
Kampioni do të shkojë në kualifikime për Ligë të Kampionëve, fituesi i Kupës në ato të Ligës së Europës ndërsa vendi i dytë dhe i tretë në renditje në Ligë të Konferencës.
Kryetari i FFK-së Agim Ademi përmes një njoftimi të lëshuar në faqen zyrtare të Federatës ndër të tjera e ka vlerësuar këtë lajm si shumë të mirë për futbollin tonë, ndërsa llogarit që 40% e skuadrave të Superligës, që janë 10, marrin pjesë në gara evropiane.
“Ky është një lajm shumë i mirë për futbollin tonë. Jemi angazhuar shumë për këtë çështje, duke bërë kërkesa të vazhdueshme në UEFA, sepse jemi federata më e re e pranuar në FIFA dhe UEFA, por jo vetëm për këtë. Tani që Superliga është me 10 ekipe, nëse e llogarisim me përqindje i bie që 40% e ligës tonë të jetë në garat ndërkombëtare,” ka shkruar Ademi ndër të tjera.
Natyrisht, nga Kupa mund të nxjerrë biletë për Evropë edhe ndonjë skuadër e Ligës së Parë apo tjetër, por mundësitë për këtë janë treguar të vogla qysh prej pranimit të Kosovës në UEFA.
Ai ka falenderuar më së shumti klubet për performancën e tyre që e ka quajtur jashtëzakonisht të mirë, edhe pse asnjëra skuadër nga Kosova nuk ka arritur të kalojë raundin e dytë kualifikues të një gare ndërkombëtare deri tash, kur kanë qenë vetëm kualifikimet për Ligë të Kampionëve dhe Ligë të Europës.
Tash me Ligën e Konferencës, skuadrat mund të shpresojnë edhe për më shumë.
“Në këtë rast përveç punës tonë që e kemi bërë, i falënderoj shumë edhe organet e UEFA-së që na mirëkuptuan, por më së shumti i falënderoj klubet të cilat këtë vit kanë performuar dhe po performojnë jashtëzakonisht mirë, pasiqë koeficienti fitohet nga performanca e tyre. I uroj klubet e Superligës, të cilat sigurisht se do ta mirëpresin këtë lajm pasiqë shkuarja e më shumë ekipeve në Evropë nënkupton edhe rritje të ekonomisë në Kosovë, më shumë kualitet në futboll dhe organizim më të mirë të klubeve poashtu”, ka thënë në fund Ademi.
Këtë stinor në arenë ndërkombëtare kanë dalë Prishtina (kualifikime për Ligë të Kampionëve), Drita (kualifikime për Ligë të Konferencës) dhe Llapi (kualifikime për Ligë të Konferencës).
Llapi është eliminuar që në raundin e parë kualifikues nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut.
Drita ka kaluar raundin e parë kualifikues duke e eliminuar skuadrën Deçiç nga Mali i Zi dhe tash në raundin e dytë do të ketë punë ndaj Feyenoordit holandez.
Ndërsa Prishtina, pasi që kaloi parakualifikimet në Ligë të Kampionëve, në raundin e parë u mposht nga Ferencvarosi dhe ra në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku është në rrugë të mirë për të kaluar në raundin e tretë kualifikues.