Gjilan, 30 dhjetor 2016 – Nën udhëheqjen e kryetarit Lutfi Haziri, Bordi i Drejtorëve i Komunës së Gjilanit ka mbajtur sot mbledhjen e fundit për këtë vit, e cila si zakonisht ishte e hapur për publikun, ku është bërë një rekapitulim i punës për vitin 2016.
Kryetari Haziri tha se ka qenë një vit jashtëzakonisht i rëndësishëm, por edhe i rëndë për Komunën e Gjilanit, jo për qytetarët por për zyrtarët, pasi janë suspenduar 28 zyrtarë pas aktakuzës së prokurorisë për krim të organizuar për periudhën 2009-2012.
Ai ka përmendur sukseset në të gjitha fushat e rëndësishme, duke filluar nga kujdesi primar, të cilin e shpalli si më të sukssshmin e vitit, pastaj në arsim, bujqësi, zhvillim ekonomik, administrate, urbanizëm, e shwrbime publike.
Haziri tha se Komuna e Gjilanit mban rekordin sa i përket numrit të madh të tubimeve publike, dëgjimeve buxhetore e konsultimeve.
“28 takime publike janë realizuar në vitin 2016. Besoj që jemi Komuna rekorde për organizim të një numri kaq të madh të debateve dhe tranparencës që e kemi imponuar” , tha ai.
Si projekt tejet të rëndësishëm, kryetari Haziri ka përmendur ndërtimin e kampusit të shkollave të mesme përmes PPP, duke thënë se për herë të parë në një hapësirë publike është vendosur një rregull ku nuk përdoret alkooli dhe duhani.
Ai ka informiar se mbi 5000 qytetarë kanë kontaktuar zyrat e Komunës përmes formave të ndryshme, ndërsa shtoi se “jemi Komuna që e kemi realizuar buxhetin qind për qind dhe presim tejkalime që është një besim tjetër i qytetarëve”, tha kreu i Gjilanit.
Kryetari i Gjilanit ka theksuar se mandatin e kishte marrë me mbi 9 milionë euro borxhe ndaj operatorëve, përderisa tha se Gjilanin, viti 2017 e gjen pa borxhe ndaj operatorëve dhe me 29 milionë euro investime publike.
“Ne mandatin e kemi marrë me 3.8 milionë euro investime të planifikuara dhe me 9 milionë euro borxhe. Tash jemi komunë që nuk kemi borxhe operatorëve, përveç atyre kontigjente. Gjilanin, viti 2017 e gjen pa borxhe ndaj operatorëve dhe me 29 milionë euro investime publike, kryesisht në infrastrukturë, që janë investimet më të mëdha pas luftës, ku përfshihet stadiumi qytetit, palestra në Zhegës, përfundimi i lumit “Mirusha” dhe fillimi lumit “Stanishorka”, tri hyrje-daljet e qytetit, varrezat e qytetit, varrezat e martirëve në Llashticë dhe investimet në çdo cep, qytet e fshat”, ka thënë Haziri.
Nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu, ka potencuar se angazhimi i përbashkët i ka sjellë qytetarëve projekte të cilat kanë ndikuar direkt në mirëqenie.
Ndërkaq, sa i përket administratës, drejtori Nazim Gagica tha se këtë vit e karakterizon implementimi i programit Gjilani Smart City, i cili është i pari në rajon dhe po tregon një lidhje direkte mes qytetarëve, zyrtarëve dhe udhëheqësve, përderisa drejtori i Bujqësisë Ramiz Ramadani theksoi se gjatë këtij viti bujqit e Gjilanit kanë përfituar nga subvencionet nga forma të ndryshme në shumën prej afro 2 milionë euro.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça, pohoi se kanë punuar me përkushtim në çdo vend, qytet e fshat pa dallim, duke ndërtuar qindra kilometra rrugë të asfaltuara, kanalizim, ujësjellës e ndriçim, ndërsa drejtoresha e DKA-së, Shqipe Haziri, ka vënë në theks investimet në shkollat e Gjilanit dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi, ka thënë se Komuna e Gjilanit është e vetmja në Republikë që e ka tejkaluar planifikimin për për 27 për qind për këtë vit, duke inkasuar 1.4 milionë euro, përderisa ai i Shëndetësisë Nexhat Hajrullau theksoi se gjatë këtij viti kanë dhënë mbi 500 mijë shërbime ndaj qytetarëve në kujdesin primar, janë ndërtuar 38 shtëpi për familjet me gjendje të rëndë sociale dhe janë meremetuar 40 shtëpi e për 45 familje po ua paguajnë qiratë.
Si i përket Urbanizimit, drejtori Valon Shefkiu, ka thënë se ndihet krenar me faktin se me angazhim e përkushtim të madh ekipor, kanë arritur t’i inkasojnë mbi 900 mijë euro në vitin 2016, të cilat janë kryesisht nga lejet e ndërtimit, ndërkaq ai iI DZHE-së, Agim Zuzaku, ka thënë se tashmë Komuna e Gjilanit ka hequr taksat për bizneset për t’iu dhënë mundësi që të operojnë suksesshëm, duke shtuar se nga partneritetet e Komunës me donatorët dhe qeveritë botërore, kanë arritur t’i gjenerojnë mbi 1 mijë vende të reja pune.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ensar Kadriu, është shprehur se sivjet numri i zjarreve në Gjilan është dukshëm më i vogël krahasuar me vitin paraprak, ndërsa drejtori i Prokurimit, Salih Kqiku, e ka cilësuar si vit tejet sfidues marrë parasyshë se pas suspendimit të zyrtarëve të tij, po punon i vetëm në këtë department.
Ndërkohë, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se viti 2017 është shpallur vit i përvjetoreve të mëdha të Idriz Seferit, kryengritësit më të madh shqiptar, i cili tha se me luftën e tij dhe bashkëluftëtarëve, ka ndikuar direkt në pavarësinë e shqiptarëve.
Po ashtu, Haziri paralajmëroi se Gjilanin, viti i ardhshëm e gjen edhe me një institucion të ri, Ndërmarrjen Tregu, ndërkaq për kampusin universitar tha se këtë mandat do të merr dritë jeshile dhe të filloj procesi i zhvendosjes.
Në fund, kryetari Haziri ka falënderuar gazetarët për bashkëpunimin korrekt, duke shtuar se me raportimin e tyre, kanë ndikuar direkt që të përmirësohen shërbimet dhe të evitohen të metat.