Një nga parakushtet për fillimin e vitit të ri shkollor, sipas Ministrisë së Arsimit në Kosovë, është vaksinimi i personelit mësimor dhe stafit përcjellës me vaksinën kundër COVID-19.
Sipas ministrisë, deri më tash, nga rreth 23 mijë mësimdhënës në gjithë Kosovën, deri në fund të javës së kaluar janë vaksinuar rreth 7 mijë prej tyre.
Ministrja e Arsimit në Qeverinë e Kosovës, Arbërie Nagavci, tha për Radio Evropa e Lirë, se mësimdhënësit në Kosovë duhet të vaksinohen dhe të jenë shembull edhe për të tjerët.
Ajo tha se nuk e di me saktësi se pse ekziston një lloj hezitimi te mësimdhënësit për t’u vaksinuar.
Në Kosovë nuk ka asnjë ligj që mund ta detyrojë ndonjë kategori të shoqërisë që të vaksinohet kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusin.
Vaksinimi i mësimdhënësve, thotë ministrja, Nagavci mbetet obligim moral.
“Pa pasur bazë të mjaftueshme ligjore, nuk mund t’i obligojmë për një gjë të tillë, por pres që mësimdhënësit të jenë shembull i mirë”, tha Nagavci.
Në Ministrinë e Shëndetësisë, përmes një përgjigjeje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, zyrtarët thanë se është shumë me rëndësi që mësimdhënësit të jenë të vaksinuar para fillimit të procesit mësimor, për të siguruar mbrojtje nga virusi për veten, për nxënësit/studentët dhe, siç thonë ata, edhe vijueshmëri të rregullt të procesit edukativo-arsimor.
“Mosvaksinimi i personelit shëndetësor nuk ekziston. Mund të ketë raste individuale që ende nuk janë vaksinuar për arsye të ndryshme, por të dhënat nga procesi i vaksinimit tregojnë se personeli shëndetësor në Kosovë, shumica është vaksinuar. E njëjta gjë nuk mund të thuhet tani për tani për mësimdhënësit, por MSH-ja pret që edhe ata do t’i përgjigjen pozitivisht vaksinimit, duke ditur rëndësinë jetike që ka sektori i arsimit dhe ai i shëndetësisë në Kosovë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë pa përmendur ndonjë kategori tjetër të shoqërisë që mund të ketë hezitim për t’u vaksinuar.Vetëm 30 për qind e mësimdhënësve janë vaksinuar