Qytetarët e Kosovës të cilët mbijetuan nga aksidenti tragjik në Kroaci kanë nisur për t’u kthyer në atdhe.
Në një lidhje direkte të mediumit kroat ’24sata’, shihet se të mbijetuarit e aksidentit po hipin në autobusin e rezervuar për ta deri Osijek, për të hipur pastaj në aeroplanin me të cilin do të kthehen drejt Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Ndërkohë gjatë ditës, ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se udhëtarët që kanë shpëtuar nga aksidenti me autobus i një kompanie nga Kosova, të dielën në Kroaci, do të kthehen në Kosovë me transport të linjës ajrore, të martën, pas orës 22:00.
Ndërsa, trupat e pajetë do të kthehen në Kosovë me transport rrugor.
Si pasojë e aksidentit të së dielës, kanë vdekur 10 persona dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur.
Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, ka njoftuar të martën për lirimin nga spitali të 26 personave të plagosur në aksident derisa ka thënë se 15 persona janë duke u trajtuar ende.
Njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.
Disa nga personat e plagosur do të vazhdojnë të trajtohen në shtetin e Kroacisë, disa do t kthehen në Gjermani, ka thënë ministri Sveçla.
Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë, ku njëri nga shoferët ka vdekur. Autobusi po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.
Njëri shofer ka vdekur, ndërsa tjetri, i cili ka qenë duke vozitur, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.