Partia Demokratike e Kosovës po akuzon Qeverinë Kurti se ka bllokuar vendin në aspektin ndërkombëtar. Partia më e madhe opozitare e quan përjashtuese ndaj spektrit politik qasjen e kryeministrit Kurti në raport në dialogun me Serbinë. Derisa, e kritikojnë atë se ka thyer “traditën” për diskutim të 100 ditëshit në Kuvend.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra thotë se vendi është në një “status qou” në aspektin ndërkombëtar, sipas saj, Kurti është ndër kryeministrat e rrallë që shkon në takimet e dialogut, pa platformë dhe pa raportuar në Kuvend.
Deputetja e PDK-së, thotë se kryeministri Kurti është i ndarë në raport me opozitën për dialogun, megjithatë, i kërkon kreut qeveritar të komunikojë më shumë brenda institucioneve të Kosovës për dialogun dhe modalitetet për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.
“Kryeministri është i ndarë në raport me opozitën. Ajo çfarë i duhet atij më shumë është që të komunikojmë brenda institucioneve të Kosovës dhe të raportojë për takime të tilla ku përfaqëson shtetin e Kosovës. Është ndër kryeministrat e rrallë, për të mos thënë i vetmi që takimet e formatit të tillë, shkon pa raportuar në Kuvend, pa diskutuar formatin e takimit brenda Kuvendit dhe pa u kthyer për të raportuar lidhur me bilancin e këtyre zhvillimeve për vendin. Nuk kemi parë kryeministra të tillë që përjashtojnë Kuvendin. Këtë e kemi thënë në gjitha takimet. Partia e kryeministrit Kurti gjithmonë ka kritikuar për mos transparencë. Unë do të them që është prej qeverive jo transparente që e kemi parë viteve të fundit”, thotë ajo.
Duke folur për debatin parlamentar të së hënës, Delu-Kodra i rendit edhe dështimet, që sipas saj e kanë përcjellë Qeverinë në këta muaj qeverisje.
“Qeveritë me radhë kanë sjellë raportin e tyre të 100 ditëshit në Kuvend. Kanë raportuar në mënyrë vullnetare, për të folur për punën dhe angazhimin e tyre 100 ditor. Për herë të parë kemi një Qeveri që nuk sjell një raport të punës 100 ditësh dhe angazhimit në Kuvendin e Kosovës. Si pasojë e kësaj, kemi pritur në fillimet e saj secili do të jetë angazhimi i partisë në pushtet për të bërë ndryshimin që e ka premtuar. E kemi parë se çfarë e ka karakterizuar qeverinë Kurti janë skandalet e shumta, të cilat tashmë janë të ditura. Po e përmendi vetëm tiketën prej 5 eurove që ka qenë skandali i madh i kësaj qeverie. Të mos flas pastaj sepse ka shumë çështje tjera për mënyrën si kjo qeveri ka operuar me tenderët një burimor. Një qasje skandaloze e qeverisë në dëme të qytetarëve të vendit”, thotë ajo.
Krahas këtyre, Deliu-Kodra kërkon nga Qeveria reagim më të madh në rastet e fatkeqësive, siç ndodhën me aksidentin e bashkatdhetarëve në Kroaci, helmimin e mbi 1500 banorëve të Deçanit dhe vërshimet nga reshjet e shiut.
“Ne kemi shpreh shqetësimet tona sepse vërtet ka qenë një muaj i rëndë ky i fundit prej zhvillimeve që kanë ndodhur. Prej helmimeve në komunën e Deçanit, ku më shumë se 1000 qytetarë të asaj komune janë helmuar dhe kemi kërkuar një reagim më të madh institucional të partisë në pushtet. Ndërsa natyrisht kemi kritikuar qasjen e kryeministrit i cili për 2 javë kishte agjendat e tij zyrtare…Po ashtu kemi telefonata të njerëzve që janë dëmtuar nga vërshimet e shumta për shkak të reshjeve dhe ndryshimeve që kanë ndodhur në vend për shkak të reshjeve të breshëri dhe shiut. Do të duhej të kishte një mobilizim më të madh qeveritar për t’iu ofruar përkrahje bujqve”, deklaron Deliu-Kodra.
Ajo shton se qeveria duhet ta rishikojë koston e çështjes financiare që përballen bashkatdhetarëve, sidomos me biletat e udhëtimit të kompanive ajrore.
“Secila qeveri duhet ta rishikojë edhe njëherë koston e çështjes financiare që përballen bashkatdhetarët tanë, sidomos me biletat e avionëve të shumtë. Pastaj kemi edhe rastet të tilla të cilat natyrisht lëndojnë rëndë jo vetëm Kosovën, por edhe miqtë ndërkombëtarë”, thotë ajo. /kp/