Ministria e Mbrojtjes njoftoi se Tuneli i Kalimashit në Rrugën e Kombit është i lirë, pa rrezik, i kalueshëm dhe me ajrosjen e duhur pas tymit dhe flakëve të zjarreve që e përfshinë thuajse plotësisht mbi masivin malor në Majën e Runës.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi qëndroi në Thirrë-Kalimash ku ende zjarret përbëjnë rrezikshmëri të lartë për shtëpitë dhe banorët.
“U shmang rreziku dhe u arrit që lëvizja në tunel të mos ndalej asnjë minutë. Sot situata është më e qetë dhe flakët janë larg tunelit. Ka shumë trupa, po punohet dhe nga toka”-tha ai.
Pushteti vendor sipas ministrit, ka patur 10-20 zjarrfikës në gatishmëri, dy në hyrje si dhe në daljen tjetër të tunelit, sepse ishte e pamundur të ndërhyhej nga toka. Në terren janë 66 trupa vetëm nga policia ushtarake dhe të tjera nga zonat e mbrojtura, pushteti vendor dhe zjarrfikës.
Ministri falenderoi menjëherë Kosovën për dërgimin e trupave dhe mjeteve të Forcës së Sigurisë për të ndihmuar në operacionet e e shuarjes së zjarrjeve:
“Në Majën e Runës kemi kontribut shtesë nga forcat e Kosovës dhe dua ta falenderoj ministrin Armend Mehaj. Shumë e rëndësishme do të jetë mbështetja e tyre sot sepse nuk janë pak 66 trupa dhe 11 zjarrfikës. Besoj sot, do ta vendosim në kontroll të plotë zjarrin në majën e Runës. Trupat e Kosovës kanë hyrë në operacion”.
Megjithatë, sikurse raportoi korrespondenti i RTK-së, Denion Knid Ndrenika, ministri Peleshi vërejti se përveç temperaturave të larta, zjarret i ndezin elementë kriminalë:
“Situatë shumë dinamike, shto këtu edhe dorën kriminale, tani jam i bindur, të atyre që për qëllime, të cilat duhet të investigohen, na ndjekin nga mbrapa, ne shuaj dhe ata ndiz”.
Gjendje e vështirë me zjarret është gjithashtu në Karaburun, ndërkohë që ka rindezje të disa vatrave edhe përreth fshatit Dukat që rrezikojnë Parkun Kombëtar të Llogarasë.
“Llogaranë po e ndjekim prej ditësh, me shumë trupa, me shumë këmbëngulje. 250 trupa qëndruan gjithë ditën aty, mirëpo kur ishim gati të shpallnim triumfin në Llogara, identifikuan dy elektrikë dore dhe pas gjysmë ore doli zjarri”-tha ministri Peleshi.
Të tri helikopterët ujëhedhës punojnë si një në Thirrë, ashtu edhe në Llogara dhe Karaburun dy të tjerët.