Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti i ka bërë sot thirrje mërgatës shqiptare që të regjistrohet për votim në zgjedhjet lokale.
Ai në një video-adresim e ka quajtur të një rëndësie të madhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 17 tetorit, duke thënë se vota e mërgatës shumë herë është treguar vendimtare në përcaktimin e kursit politik e zhvillimor në Kosovë.
“Deri më datë 18 gusht është afati i regjistrimit për të votuar prej jashtë vendit. Nxitoni, regjistrohuni, dhe ndihmoni e inkurajoni të tjerët ta bëjnë një gjë të tillë. Andaj mos e lëni për ditën e radhës apo ditën e fundit, aplikoni sa më parë dhe hyni në rrjedhën teknologjike që do ju përcjellë me instruksione deri në ditën e votimit. Qyteti e lagjja, komuniteti e familja, kushtet më të mira për jetë dhe mundësitë tona për zhvillim janë të lidhura me nivelin lokal para së gjithash andaj t’ia njohim rëndësinë e vërtetë zgjedhjeve të 17 tetorit”, ka thënë Kurti.