– Në vazhdën e pritjes në shenjë nderimi për kontributin e bashkatdhetarëve, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot një delegacion të mërgatës nga Britania e Madhe, të udhëhequr nga Selami Sylejmani dhe Alban Nuredini.
Kryetari Haziri, pasi iu uroi mirëseardhje, ka falënderuar ata për kontributin e madh që kanë dhënë për Kosovën dhe Gjilanin në vazhdimësi.
“Ju uroj mirëseardhje në vendlindje dhe ju falënderoj për kontributin tuaj për vendin në mënyrë permanente, edhe në kohën e para luftës, por edhe tani. Shumë prej bashkatdhetarëve tanë kudo që jetojnë në botë, përpos që i mbështesin financiarisht familjet e tyre, janë edhe investitorë në Gjilan e nëpër komunat tjera, duke krijuar vende të reja të punës. Për mua ju jeni heronjtë tanë të gjallë ”, tha kryetari Haziri
Ai ka theksuar faktin se një Gjilan i vogël sot jeton në shtetet perëndimore duke shtuar se Komuna u krijon mundësi dhe lehtësira në kuadër të ligjit dhe janë të lirë të punojnë dhe investojnë në të gjitha fushat, pa procedura burokratike.
Në emër të delegacionit të bashkatdhetarëve nga Britania e Madhe, kanë folur, Selami Sylejmani dhe Alban Nuredini, të cilët kanë falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe e kanë përgëzuar për punën e madhe, për t’ua bërë jetesën më të mirë qytetarëve.