Të nderuar qytetarë të Gjilanit!
Të nderuara struktura e votues të PDK-së!!
Synimi i PDK-së për ristrukturim dhe përgaditje për zgjedhjet e ardhshme komunale, edhe njëherë kërkon angazhimin e secilit prej nesh që kemi besuar e besojmë në vlerat tona të përbashkëta për liri, të realizuara nga UÇK, dhe në vlerat për pavarësi, shtetndërtim e prosperim të atdheut tonë, të identifikuara me PDK dhe bartësit kryesor të saj e Kosovës tonë për më shumë se dy dekada.
Në rrethana të reja, kërkohet të ruhen ato vlera, dhe të shikohen rrugë të reja rritjeje të atdheut tonë. PDK përsëri është garantuese e ecjes së sigurt të Kosovës tonë, prandaj kërkon angazhimin në këtë riformësim të secilit prej nesh; rezultativisht edhe angazhimin tim.
Mbështetur në këtë nevojë, unë do t’i përgjigjem thirrjes së PDK-së dhe lidershipit të saj të ri që të jem në listën për kandidatë për Asamblenë komunale të Gjilanit.
Të dashur miq!
Siç e dini, unë isha pjesë e asamblesë me PDK-në në të gjitha mandatet në Kosovën e lirë, falë mbështetjes e besimit tuaj në mua. U jam thellësisht mirënjohës për këtë, dhe besoj shumë se kudo kam provuar të jem zëri i juaj.
Unë kërkoj edhe njëherë mbështetjen tuaj, në këtë kohë të vështirë për PDK-në pa dy liderët kryesor të saj. Kërkoj mbështetjen sepse jam i bindur se zëri im dhe i njerëzve të PDK-së po bëhet shumë i nevojshëm për vendin tonë, në kohën kur në mënyrën më të paskrupullt sulmohen vlerat e Lirisë së vendit tonë.
Unë besoj në mbështetjen tuaj sepse ju më njihni; njihni qëndrimet dhe angazhimin tim, të cilat i keni vlerësuar. Unë do të vazhdojë të jem i pakompromis në luftën me padrejtësinë, me mohuesit e lirisë së këtij vendi, me mohuesit e luftës e rezultateve të arritura me gjak e sakrificë të pashembullt.
Besoj në mbështetjen dhe bashkepunimin tuaj,ashtu si e kemi pasur që nga fillimi i rrugëtimit tim!
Ju falemnderit.
I juaji; Bujar Nevzati.