The Guardian ka publikuar tekstin e një studenteje nga Kabuli e cila përshkroi ngjarjet pak para se talebanët të hynin në qytet.
Teksti fillon me: “Unë shkova në klasë dje herët në mëngjes. Në një moment, një grup grash dolën nga konvikti. Pyeta se çfarë kishte ndodhur, dhe njëra prej tyre më tha se policia po i evakuonte, sepse talebanët kishin mbërritur në Kabul dhe se ata do të rrihnin gratë që nuk mbajnë burka. Të gjitha donim të shkonim në shtëpi, por nuk mund të përdornim transportin publik. Shoferët nuk na lanë të hyjmë në vetura sepse nuk donin të merrnin përgjegjësinë për transportin e grave”.
Tutje, në rrëfimin e studentes ceket momenti i frikës që ajo ka përjetuar: “Shkoni dhe vishni burkën tuaj”, tha njëri. “Ditët tuaja të fundit janë në rrugë,” tha një tjetër. “Unë do të martohem me katër prej jush brenda një dite,” tha i treti”.
Në mëngjes kur studentja ishte kthyer në shtëpi, bashkë me motrat e saj kishin fshehur letërnjoftimet, diplomat dhe certifikatat.
“Pse duhet të fshehim gjërat për të cilat duhet të jemi krenarë? Në Afganistan, ne tani nuk duhet të njihemi si njerëzit që jemi”, shprehet studentja.
Ajo mes tjerash ka treguar se gratë afgane sakrifikuan shumë për atë pak liri që kishin.
“Unë isha jetime dhe thurja qilima vetëm për tu arsimuar. Unë u përballa me një numër sfidash financiare, por kisha shumë plane për të ardhmen time. Nuk e prisja që të përfundonte kështu. Tani duket se më duhet të djeg gjithçka që kam arritur në 24 vitet e jetës sime. Të kesh ndonjë ID ose çmime të Universitetit Amerikan tani është e rrezikshme, edhe nëse i mbajmë, nuk jemi në gjendje t’i përdorim. Nuk ka punë për ne në Afganistan”, kështu thuhet në tekstin e publikuar nga The Guardian.
Muajt e fundit, derisa talibanët kanë marrë kontrollin e provincave, qindra njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre dhe kanë ardhur në Kabul për të shpëtuar të dashurat dhe gratë e tyre.
“Nuk mund t’i ndalja lotët kur dëgjova historitë e disa familjeve. Njëri humbi djalin e tij në luftë dhe nuk kishte para për të paguar taksitë në Kabul, kështu që ata i dhanë nusen e tyre në këmbim të transportit. Si mund të jetë e barabartë vlera e një gruaje me koston e udhëtimit?”, u shpreh ajo.
Për fund ajo shton se “Sot, kur dëgjova se talibanët kishin arritur në Kabul, ndjeva se do të bëhesha skllave. Ata mund të luajnë me jetën time si të duan. Kam punuar si mësuese në një qendër arsimore për të mësuar gjuhën angleze. Unë as nuk mund të mendoj se nuk mund të qëndroj më para klasës”.
“Sa herë që mendoj se vajzat e mia të bukura duhet të lënë shkollën dhe të qëndrojnë në shtëpi, unë filloj të qaj,”.