Kandidatura e pavarur për Kryetar të Komunës së Gjilanit
VENDIM JO I LEHTË PËR MUA!
Ndoshta ky ishte vendimi më i rëndë për mua që nga paslufta e deri sot.
Njëzet vjet aktivitet politik brenda partisë dhe “papritmas” vjen një moment i ndarjes me apo pa të drejtë, me arsye apo pa arsye, krejt ashtu sikur ndahesh nga vëllezërit e një nëne.
E ndanë konakun, por jo edhe vëllaznillakun.
Megjithatë pak përlotesh, sepse, duke risjellë në kujtesë kujtimet më të mira brenda partisë që ka plot të tilla.
Dikur, partia më ngjasonte në familjen time dhe nuk imagjinoja dot jetën pa të!
Para pak vitesh kur u ndava nga vëllezërit e mi të gjithë ishim të mërzitur nga pak por, ata që u mërzitën më së shumti ishin nipërit e mbesat që nuk e kuptonin ndarjen tonë dhe as mund të pajtoheshin dot më këtë ndarje.
Krejt ngjashëm si në rastin e sotëm që nuk pajtohen lehtë Rinia e mrekullueshme e Partisë Demokratike në qendër dhe veçanërisht dega e Rinisë Demokratike në Gjilan, me të cilët ruaj kujtimet më të mira dhe respektin e pakufizuar.
Dua të them se, Rinia ka të drejtë gjithmonë, madje, edhe atëherë kur nuk ka të drejtë!
Megjithatë, pas krejt kësaj, e vë në dijeni gjithë opinionin publik gjilanas, e veçanërisht aktivistët dhe anëtarët e Partisë Demokratike në Gjilan se, që nga sot kam shpallur kandidaturën e pavarur për Kryetar të Komunës së Gjilanit.
Por, duke u ndarë veçse fizikisht nga Partia e jo edhe emocionalisht.
Pra, sot kam dorëzuar në KQZ dokumentacionin e kompletuar si KANDIDAT I PAVARUR për Kryetar të Komunës së Gjilanit.
Rrugëtimin e kam filluar nga Zyra e Kryetarit të Komunës së Hanit të Elezit z.Rufki Suma si shembulli më i mirë në nivel shteti se si duhet fituar besimin e qytetarëve nga të gjitha përkatësitë partiake.
Asgjë nuk është e pamundur, tha Ruskin.
Është larg vetëm atje ku nuk do të shkosh!
Po kujtoj se ka ardhur koha që qytetarët anamoravas ta kenë kuptuar se u bënë shumë vite duke ju shërbyer rajoneve tjera nëpërmjet partive tona dhe liderëve gjilanas.
Nëpërmjet LDK-së po u shërbehet llapjanëve, nëpërmjet PDK-së po u shërbehet Drenicalive, nëpërmjet AAK-së po i shërbehet Dukagjinit dhe nëpërmjet VV-së po u shërbehet sheherlive të Prishtinës. Deri kur kështu?!
Mendoj se është momenti që ta kuptojnë gjilanasit se veç një Kryetar i pavarur nga partitë mund të jetë në shërbim të Gjilanit dhe gjilanasve.
Në emër të ZOTIT, ATDHEUT E FAMILJES shpresoj se do të bëhet mirë!
Me respekt, Gani Neziri