Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar sot resortin më të bukur, të Karadakut dhe më gjerë, që fatkeqësisht një aneks i tij, është dëmtuar nga zjarri ditë më parë, për të cilin ka thënë se duhet të gjitha institucionet me veprime konkrete, të jenë afër pronarve Metush dhe Nadire Zymberi.
“Kam vizituar resortin më të bukur dhe të jashtzakonshëm, Kullën e Gjinajve, që për bazë ka traditën, kulturën e Karadakut dhe shqiptarëve kudo që jetojnë. Ky resort është ndërtuar nga Metush dhe Nadire Zymberi, që udhëheqin edhe kompaninë e njohur Menakon në Gjilan. I falënderoj shumë për investimin, por, motivi i vizitës ka qëlluar në fatkeqësi dhe në këtë ditë të rëndë, kam dashur të jem afër familjes Zymberi, për t’a përballuar humbjen e madhe që shkaktoi zjarri duke përfshir restorantin, kuzhinën dhe një pjesë të madhe të këtij investimi, të jashtzakonshëm që ka qenë një nga veprat më të mëdha private të ndërtuara në regjionin e Gjilanit”, ka thënë kryetari.
Ai ka konfirmuar se do të jetë afër investitorëve duke bërë thirrje që të sanohet gjendja, të hulumtohen shkaqet dhe të gjendet mundësia e sanimit të kësaj fatkeqësie.
Duhet me gjetë mundësi dhe forma që të përballohet kjo fatkeqësi dhe ky dëm i madh material i Kullës së Gjinajve. Të bëhet zgjidhje e shpejt dhe normalizim i punës, sepse direkt dhe indirekt preket punësimi i rreth 100 qytetarëve, që në forma të ndryshme janë të lidhur me këtë resort. Zjarri që ka kapluar kulmin, si pasojë e energjis elektrike e bënë më të rëndë dhe më fatkeq këtë rast. Besoj shumë se KEDS-i, institucionet e qeverisë dhe institucionet tjera, do ti gjenden afër sikur Komuna e Gjilanit, këtij investitori sepse është obligim që të hulumtohet shkaktari i fatkeqësisë se zjarrit që në këtë rast është rryma. Duhet të gjendet mënyra e sanimit të gjendjes dhe resorti të fillon normalizimin dhe zhvillimin e planeve që ka pronari për investim”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.