Sport Club Gjilani konsiderohet si njëra ndër skuadrat më favorite për të fituar titullin e Superligës në stinorin e ri.
Sipas trajnerit të klubit, Ismet Munishi, imperativ kryesor mbetet që skuadra të bëjë futboll shumë të mirë e ofansiv dhe të luftoj për titull, pasi sipas tij, SC Gjilani ka kualitet për një gjë të tillë.
“Me të vërtetë kemi bërë një afat kalimtar shumë të mirë, duke iu falënderuar presidentit Zuka dhe stafit të drejtorëve, të cilët kanë bërë një punë fantastike. Unë besoj që SC Gjilani, këtë vit, ka bërë merkaton më të mirë të mundshme, përkundër faktit që ka qenë një afat jashtëzakonisht i vështirë sepse të gjithë futbolistët kanë qenë të lidhur me kontrata me klubet e tyre. Por, ne kemi arritur të sjellim futbollistë mjaft cilësor në skuadrën tonë”, ka thënë ai për Gazetën “Enigma”.
Gjilani do ta fillojë stinorin e ri të Superligës më 21 gusht, kur do të luajë në udhëtim ndaj Drenicës.