Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se 936 raste aktive në Gjilan, janë gjendje alarmi për të gjitha institucionet jo vetëm në nivelin lokal, sepse është numri më i madh që nga fillimi i pandemisë në Gjilan dhe shifrat paralajmërojnë që duhet të ketë një vendosmëri institucionale karshi Covid-19.
“Në Gjilan po shënojmë një rekord të zi dhe Komiteti i Emergjencave, është vazhdimisht duke punuar 7 ditë në javë, në monitorimin e gjendjes, zbatimin e detyrave për parandalim, e deri te shërbimet shëndetësore që u jepen qytetarëve të infektuar në shtëpi nga ekipet mjekësore. Numri kaq i madh i të infektuarve lidhet edhe me numrin e madh të mërgimtarëve që i kemi edhe në këtë javë në Gjilan, por veprimet e shtetit duhet të jenë më të ashpra, por me arsyeshmëri maksimale për ta mbrojtur qytetarin përmes masave dhe respektimit të tyre”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai më tej potencoi se “Mësimdhënësit, shërbimete hoteliere, mjekët dhe qytetarët në përgjithsi duhet të vaksinohen. Unë kam reaguar dhe kjo tashmë është e ditur se më 1 shtator asnjë mësimdhënës nuk mund të shkoj në shkollë e të dal para nxënësve, nëse nuk e ka konfirmimin e vaksinimit, ose testin ditor për Covid-19. Duhet të mundësohet nga ana e qeverisë që me ekipe shtesë, me punësime të përkohshme të rriten kapacitetet dhe vaksinimi të bëhet 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë për imunizim të përgjithshëm më të shpejtë. Nuk jemi në gjendjen që të lejojmë komoditet”, ka potencuar kryetari Haziri.
Gjendja është alarmante edhe në Spitalin e Përgjidhshëm që jep shërbime për gjithë lindjen e Kosovës, luginën e Preshevës dhe nëse mbushen spitalet me të infektuar, atëherë alarmi do të bartet edhe në QKUK.
“Masat e fundit të marra nga qeveria janë masa selektive dhe jo në bazë të vlerësimit të drejtë, sepse është dashur që me masa të ashpra, të niset që nga administrata e shtetit, jo vetëm nga sektori privat. Sot disa shërbime si lokalet e natës, dasmat etj, janë sanksionuar brenda ditës, kurse disa kategori të tjera u është dhënë afat të përgatiten. Kërkoj nga qeveria e Kosovës që ta trajtoj me seriozitet më të lartë infeksionin dhe pandeminë Covid-19 në përgjithësi. Kemi të prekur grupmoshat e reja dhe një numër shumë të madh të mërgimtarëve me infeksion”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.