Katër persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit në Kosovë si pasojë e infektimit me coronavirus, teksa janë konfirmuar edhe 2.250 raste të reja pozitive.
Ministria e Shëndetësisë përmes raportit 24 orësh bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, njofton se janë shëruar edhe 154 pacientë që ishin të infektuar me virusin SARS CoV-2, shkruan Reporteri.net.
Po ashtu bëhet e ditur se që nga fillimi i procesit të vaksinimit janë dhënë gjithsej 666.476 doza të vaksinës anti-COVID në të gjitha qytetet e Kosovës, teksa vetëm në 24 orët e fundit janë vaksinuar 22.245 qytetarë.
Në total numri i rasteve aktive me coronavirus ka shkuar në 16.341.
Ndryshe, si pasojë e rritjes së numrit të rasteve të reja, MSH ka publikuar masat e reja anti-COVID, që do të hyjnë në fuqi që nga sot.
Sipas masave të reja, MSH njofton se do të mbyllen klubet e natës dhe do të ndalohen dasmat dhe ahengjet tjera familjare.
Me masat e reja po ashtu ndalohet hyrja në mjetet të transportit publik pa maskë.
Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë, duke shfrytëzuar kapacitetin e plotë të ulëseve, me kusht që personeli dhe udhëtarët të mbajnë maskën gjatë gjithë kohës.
Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy udhëtarë.
Teatrot, bibliotekat, orkestrat, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet.
Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme bëhet në proporcion 1 klient në 8m2.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:
20 Gusht 2021: Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon:
Në 24 orët e fundit janë dhënë 22.245 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 666.476 doza të vaksinës.
Deri më sot 227.581 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Nga 11.814 testime, 2.250 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shënuar 4 raste të vdekjes.
Sot janë shëruar 154 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 106.700.
Në total numri i rasteve aktive është 16.341.
Të dhënat e detajuara mund të i gjeni në linkun:
https://datastudio.google.com/…/2e546d77…/page/MT0qB
Mbani maskat!
Respektoni distancën!
Mbani higjienën!