Nën organizimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot është mbajtur mbledhje komemorative, për ti dhënë lamtumirën e fundit këngëtarit dhe muzicientit të mirënjohur Demir Krasniqi, i cili është ndarë nga jeta ditën e djeshme.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në fjalën e tij para të pranishmëve ka thënë se Demir krasniqi, porpos që ishte një mësimdhënës, një familjar, këngëtar, kompozitor dhe faktues i folklorit shqiptar, ishte edhe një edukator i vazhdueshëm dhe këshilltar i jashtzakonshëm që na ka bërë nderë të gjithëve, prandaj si të tillë Komuna e Gjilanit do ta ruaj gjithmonë në historinë e qytetit.
“Ai është ndarë fizikisht nga jeta ditën e djeshme, duke lënë prapa një familje të mrekullueshme, një trashëgimi shumë të madhe jo vetëm për familjen, por për të gjithë ne. Migja Demë ishte një një mësimdhënës, këngëtar shumë i madh i folklorit dhe melosit. Sot jemi së bashku për ti dhënë lamtumirën e fundit trupit të Demir Krasniqit, sepse shpirti i tij do të vazhdoj të bëjë dritë mbi ne. Jam i bindur se gjithë angazhimi që ai ka dhënë dhe kontributi i tij edhe si fqinj i imi, porn ë veçanti me këngë që nga dhomat, odat, festivalet e pallatet dhe librat që ka lënë prapa, janë trashëgimia shumë e madhe që na shërben të gjithë ne të gjallëve. Demiri ishte gjithmonë njeri pozitiv dhe në të gjitha rastet edhe kur na këshillonte, qortonte apo debatonte, ishte gjithmonë me qëllimin e edukatorit. Në Ballkan thuhet që “Kush këndon, keq nuk mendon”, e kjo më së miri i ka shkuar për shtati, Demir Krasniqit dhe tipareve të tij”, ka thënë mes tjerash kryetari Lutfi Haziri.
Në fjalën e tij para të pranishmëve ka folur edhe bashkëpunëtori i tij Selim Arifi, nga Kumanova, i cili me emocion dhe dhembje ka thënë se Demir Krasniqi, ishte një shembull i mbështetjes për të gjithë artistët pa dallim dhe veprat e tij e angazhimi, kalojnë kufijt përtej shqiptarë, deri në Evropë e Amerikë, ndërsa vdekja e tij ka lënë një boshllëk të madh te të gjithë ata që e kanë njohur.
Në emër të familjes të pranishmit i ka përshëndetur djali i Demir Krasniqit, Shkëlqimi, që e ka falënderuar kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për organizimin dhe afërsinë e ofruar për familjen me të gjithë të pranishmit që dhembjën e madhe, po e zvogëlojnë me fjalët dhe kujtimet që kanë për shtyllën e familjes sonë, Demir Krasniqin.
Ndërsa, në këtë mbledhje është paraqitur me një fjalë rasti, kujtimi e mërzije edhe miku i pandashëm i Demirit, Xhemajl Berisha, i cili tha se shtëpia e të ndjerit ishte qendër e të gjithë artistëve edhe në kohët më të vështira.
“Me Demirin kena bashkëpunuar dhe kënduar për më shumë se 52 vjet, që nga odat e Gollakut, Karadakut e gjithandej trevave shqiptare, deri te pjesëmarrja në festival të ndryshme me violin, sharki e qifteli. Po ulem këmbë kryq, që ta kujtoj njeriun i cili për 52 vjet ishim në skenë e gjithandej me këngë e me gëzime. Sot një thesar i këngës shqipe u nda nga ne dhe asnjëherë nuk do ta harrojmë kreatorin e veprave që ai ka lënë prapa”, tha ai pasi lexoi një përgatitje të veçantë që ia kishte dedikuar mikut të pandashëm.
Varrimi i Demir Krasniqit bëhet sot, në orën 16:30, në varrezat e qytetit të Gjilanit.