“GRUPI I DIFERENCIMIT” ELIMINON NËNKRYETARIN E PARË TË LËVIZJES VETËVENDOSJE! NË GJILAN NGA LISTA PËR ASAMBLE KOMUNALE
Shkruan: Nehat OSMANI
Në përpjekje që interesat tuaja të bëhen pronarë të lirive tona provuat të kufizoni aktivizmin tonë me kufijtë e lakmive tuaja. Nuk besuam që do shkoni përtej e shkelni mbi përkushtimin e identitetin e idealistëve më të devotshëm të organizatës tonë.
Nuk besuam, sepse NE besuam, ashtu siç do besojmë edhe atëherë kur ju do zhvoshkeni nga mburojat e hekurta që përkohësisht ju mbajnë drejt para se përhershëm të përkulur ecni në gjunjë.
Sepse frikën nga mossuksesi e keni të njëllojtë sikur frikën nga suksesi.
• Të dashur aktivistë, anëtarë e simpatizantë të LVV, nuk ka QENDËR të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, por ka GRUP, grup të dhunshëm që është Grup i Diferencimit.
Si të tillë kanë spastruar anëtarësinë, kanë diferencuar strukturat, përfundimisht për të eliminuar Këshillin e Qendrës.
Paskan ELIMINUAR edhe MUA nga Lista e kandidatëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Asamble Komunale. Në vizionin e tyre ky ishte misioni tyre, i ideuar që në fillet e saja mes përgjimeve, hakimeve, inskenimeve, dhe të sendërtuar pandalshëm gjer më sot me zejen e specialitetin e sprovuar të tyre.
Sepse e kanë ditur, pa mos eliminuar këto tre të parat nuk do kishin mundur të eliminonin as MUA e as disa nga aktivistët më të zotë e përfaqësues të Lëvizjes.
Sepse e kanë ditur, pa mos instaluar Koordinatorin e Grupin Punues si organe të dhunshme, gara për kandidatin për Kryetar Komune brenda LVV do t’ishte ndryshe dhe Lista e kandidatëve për Asamble Komunale do t’ ishte tjetër.
Ama thelbësoren kanë anashkaluar, NE jemi aty ku ishim, edhe sot e mot, e do të jemi sidomos atëherë kur Lëvizja t’i kthehet vetes, anëtarësisë, strukturave, Këshillit të Qendrës e qytetarëve.
• Të dashur aktivistë, anëtarë, simpatizantë, qytetarë, miq e shokë që keni përkrahur Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe keni mbështetur aktivitetin e përkushtimin tim politik brenda e jashtë saj, tanimë pas gati,
NJË DEKADË aktivizëm e aktivitet, jo margjinave e jo periodikisht, jo me korrespondencë
PESË VJET Nënkryetar i parë i Qendrës së Lëvizjes e ushtrues detyre i Kryetarit të Qendrës së Lëvizjes në Gjilan në periudhën më të rëndë të tendencës së ndarjes për Lëvizjen, gjithnjë në ballë të iniciativave e përfaqësimit ideo-politik, shpirtëror e njerëzor
KATËR VJET asambleist i LVV në Kuvendin Komunal në mbrojtjen e interesave të qytetarëve e avancimin e frymës së Lëvizjes
SHUMË VJET anëtar i Këshillit të Qendrës, Bartës i Listës nga rradhët e Lëvizjes në zgjedhjet e kaluara komunale, aktualisht anëtar i Këshillit të Përgjithshëm
PËRJETËSISHT aktivist që mendimin politik dhe dialektikën e Lëvizjes e ka frymë,
me urrejtjen e zellin hakmarrës të “GRUPIT” e Koordinatorit, përmes metodave të Eliminimit paskan sajuar 2 lista, fillimisht:
1. Listën e përjashtimeve të kuadrove të dëshmuara, mëpastaj
2. Listën e 38 të përzgjedhurve për kandidatë për Asamblenë Komunale
Bartës i Listës së parë nga të përjashtuarit Nehat Osmani, Bartës i Listës së dytë Ismajl Kurteshi. Ky i dyti paska eliminuar të parin me “votë unanime nga GRUPI”.
• Të dashur anëtarë e votues të LVV, ju duhet ta dini e mësoni, i eliminuar jo prej Këshillit të Qendrës, jo prej strukturave, jo prej anëtarësisë e simpatizantëve ???
Nga “GRUPI”!
Nga “GRUPI” i emëruar 15 ANËTARËSH të prirë nga Ismajl Kurteshi, Luan Aliu, Arijeta Rexhepi, Arianit Sadiku, Koordinatori, …., ….
Ashtu sikur duhet ta dini, që Alban Hyseni nuk është votuar nga anëtarësia, strukturat e as nga mbi 140 delegatët e Këshillit të Qendrës. Ai është mbivendosur nga 15 anëtarët e “GRUPIT” të cilin grup e ka mbivendos vet ai. Që nënkupton se Alban Hyseni është i vetzgjedhuri nga “GRUPI” dhe i vetshpalluri kandidat i LVV për kryetar të komunës së Gjilanit.
Ashtu sikur duhet ta dini, që Listën e Asambleistëve të LVV për Gjilan, brenda së cilës dorën n’zemër ka aktivistë e njerëz të jashtëzakonshëm, nuk e kanë votuar e zgjedhur mbi 140 delegatët e Këshillit të Qendrës, as strukturat, as anëtarësia. Ata i ka përzgjedhur Alban Hyseni dhe “GRUPI” i tij që vet ka zgjedhur. Vetëm një gjë është e paqartë, nëse GRUPI është i zgjedhuri i Albanit apo Albani i zgjedhuri i GRUP-it.
Paçka “GRUP”, po se po!
• Ama thelbësoren paskan harruar: Që këmbëngulja jonë për të qëndruar e rezistuar është shumëfish më e madhe se pasioni tyre për të shkatërruar, përjashtuar e eliminuar, sepse ata që s’ua kanë frikën janë më shumë se ata që kanë frikësuar e servilizuar.
Edhe qenësoren paskan harruar: Që vlerat tona, parimet tona, dhe idealet tona janë më të fuqishme se shantazhet e tyre, komplotet, dosjet bizare, përgjimet e kurthet e tyre.
Në flamurin e tyre të ndrydhur që valvisin triumfalisht, iu shfaqen veç gravurat e Vogëlsisë dhe Vegëlsisë së tyre.
Në Vogëlsinë e tyre këta përfytyrojnë se mund të mbartin madhështinë e patrashëgueshme të një Lëvizjeje gjigande. Duke mos kuptuar asnjëherë thelbësinë e brendshme nga buron.
Në Vegëlsinë e tyre këta kujtojnë se mund të lajthisin shpresat e qytetarëve të tërë, duke shteruar shpirtin e përmbushur VetëVendosës nga brenda, e zëvëndësuar hallkat boshe me kameleonët amorf nga jashtë.
• Megjithëse aktualisht s’ka dyshim, bashkërisht të gjithë e duam fitoren pa hamendësime, këta e donë fitoren për vete e privilegjet për Grupin, ne e duam për Lëvizjen dhe qytetarët pavarësisht kush ku do jemi? Të fortifikuar e të patundur këtu do jemi!
Të pozicionuar përherë dhe me kohë, sikur përgjatë problemit të brendshëm të grupit molliqian, për dallim nga disa prej këtyre, konsekuent e pakompromis në kundërshtim të këtij grupi që për synim kishin përçarjen dhe shkatërrimin e Lëvizjes.
Mu sikur tani, në kundërshtim të atyre që ishin GRUP që nga fillimi dhe vetëm së fundmi të legjitimuar në Grup Punues, e vendosmërisht, e hapur të pozicionuar gjithmonë kundër çdo grupi të dëmshëm në Lëvizje, politikë e shoqëri.
• Duke iu rikujtuar disave prej jush: Që Aktivisti nuk ka mendjen se ku po mbetet ai për vete, por ku po shkon Lëvizja, Kosova e Kombi Shqiptar.
Kështuqë, pozitat dhe lakmitë mbajini ju për vete, shfytëzojeni këtë forcë të shumtë nga lart deri sa t’iu mbajë forca e juaj e paktë, ndërsa frymën do ua mbajmë ne nga poshtë-lart. E do vazhdojmë të kontribuojmë qoftë edhe nga jashtë, që idetë e Lëvizjes dhe fryma e saj ngadhnjyese të jetësohet.
• Koha është e “GRUPIT” por Lëvizja është e aktivistëve dhe e anëtarësisë. Kjo kohë tejet e shkurtër për këta e tmerrësisht e gjatë për gjithë ata që shpresat kanë vënë nga Lëvizja ka nisur numërimin nga mbrapshtë.
Përderisa qytetarët tashmë tre palë zgjedhje me padurim janë në pritje të ardhjes së Lëvizjes. Padyshim që Lëvizja VETËVENDOSJE! vie. Vie me shkëlqimin e saj të përgjithshëm, jo me terrin e GRUPIT.