Ndonëse nga të katër anët ka Kritika për menaxhimin e pandemisë nga ana e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, është dikush që po e lavdëron shumë punën e tij.
Edhe pse numri i rasteve aktive me coronavirus ka shkuar në 24.939 dhe për një javë janë shënuar 93 vdekje, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Shëarz ka thënë se ia heq kapelën ministrit Vitia.
“Me përkushtimin, profesionalizmin, zellin, modestinë dhe qetësinë që e karakterizojnë, Arben Vitia menaxhoi në mënyrë shembullore sfidat me të cilat u ballafaqua Kosova gjatë pandemisë. Shumë nga afër i kam përcjellur betejat e tij të shumta, të vogla dhe të mëdha, në Kosovë dhe jashtë saj, për sigurimin e vaksinave kaq të nevojshme për Kosovën”, ka shkruar ajo.
Ajo ka thënë se qeveria e kaluar nuk pati arritur të sigurojë asnjë vaksinë.
“Më 22 mars 2021 patëm trashëguar nga qeveria paraprake jo vetëm 0 vaksina, por edhe 0 kontrata, ndërkohë që shtetet e tjera shumicën e kontratave i kishin lidhur që në vjeshtën dhe dimrin e vitit të kaluar. Me ndihmën fillimisht të partnerëve ndërkombëtarë dhe më pas me lidhjen e kontratës direkte me kompaninë Pfizer, edhe në Kosovë , edhe pse me mjaft vonesë, arritën më në fund vaksinat dhe vaksinimi filloi në masë. Ndërkohë janë dhënë mbi treçerek milionë vaksina”, shtoi ajo.
Sipas ministers, varianti i ri i virusit dhe rritja e madhe e rasteve të reja e ka vënë të gjithë botën para një sfide.
“Numri i rasteve tragjike po na trondit të gjithëve çdo ditë e më tepër. Përvoja edhe e shteteve të tjera tregon se shtrëngimi i masave dhe përshpejtimi i vaksinimit janë rrugëdalja e vetme. E sigurtë që edhe këtë sfidë do ta kalojmë së bashku. Kemi edhe kaq shumë punë para vetes”, ka shtuar ajo.