PETICION drejtuar komunës nga banorët e lagjes “Hyrie Hana” nr. 13
Peticioni është nënshkruar të paktën nga një person në secilën shtëpi të kësaj rruge.
* Në rrugën tonë, e cila është e fundit në lagjen Dardania 1, për shkak të vegzës me rrugën qarkore, çdo ditë kalojnë kamionët mbi 3.5 ton, përkundër që është e vendosur shenja se në lagjen Dardania nuk guxojnë të futen automjetet mbi 3.5 ton. Pos automjeteve të rënda, edhe vozitja me automjete të vogla është tëpër e shpejtë dhe e rrezikshme në këtë rrugë.
Meqë policia dhe komuna përmes telefonit dhe fizikisht kanë qenë të informuar për shqetësimet në rrugë dhe meqë nuk ka ndryshuar gjenda, përkundrazi vetëm sa po vjen duke u ngarkuar dhe duke mos pasur as trotuarë për banorët e rrugës, ne në këtë pikë kemi kërkuar nga komuna që rruga jonë urgjentisht të shndrrohet në rrugë njëkohore, që sodopak të reduktohen kamionet, ngarkesa me automjete të shumta dhe shpejtësia e lartë gjatë vozitjes.
* Për ta rënduar akoma këtë lagje të planifikuar për banim, komuna së fundmi e lejon të operoj radio taksi, auto ngjyrosës dhe auto larje “Lulin”.
Ky është një biznes i zhurmshëm dhe i dëmshëm për shëndetin që asesi nuk duhet të operoj në mes të shtëpive për banim. Këta bëjnë zhurmë ditën me kompresor të ngjyrosjes, me auto larje, vetura etj. Natën flasin me ton të lartë, e ngarkojnë rrugën me vetura, dëgjohet radio lidhja brenda nëpër shtëpi, i lënë veturat e vjetra të parkuara në tokë të paasfaltuar, ku këto vetura mund të rrjedhin vajra, e vaji mund të përzihet me ujë të puseve. Prandaj në këtë pikë, kemi kërkuar nga komuna që ta ndaloj këtë veprimatari të zhurmshme e të rrezikshme për shëndet nga kemikalet në rrugën tonë, e cila në planifikim urban është zonë banimi.
* Në pikën e fundit kemi kërkuar që të bëhet riinstalimi i gypave nëntokësor, për shkak se disa gypa të kanalizimit janë instaluar në gypa të ujrave atmosferik dhe si rrjedhojë kemi kutërbim në rrugë.
Për këto shqetësime, janë të njoftuar policia e Kosovës gati që 2 vjet dhe së fundmi edhe kryetari i komunës dhe drejtori i inspekcionit në dëgjimin e fundit publik në teatër e ky i fundit edhe përmes telefonit.
Afati ligjor i zgjidhjes së kërkesave tona të peticionit është me datë 08 shtator 2021 dhe shpresojmë që përgjegjësit komunal ta kryejnë punën për të cilën paguhen nga taksat tona e të mos na detyrojnë të ndërmarrim veprime të tjera në formë proteste, deri në mundësimin e një jete normale, siç do të duhej të ishte në një rrugë dytësore në njërën nga lagjet me plan urban ndër më të mirin në Kosovë.