Gjykata ia ka caktuar një muaj arrest shtëpiak të dyshuarit N.S, me arsyetimin se ai në qershor të këtij viti, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo tjetrin, ka vjedhur dy lopë. Kjo masë është caktuar nga gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Gjilanit, dega Viti, Alush Sinani, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila është shqyrtuar të premten, raporton “Betimi për Drejtësi”.Prokurori Shefik Memeti, duke e arsyetuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit, ka thënë se prokuroria ka shqyrtuar edhe masa tjera alternative dhe ka konsideruar se shqiptimi i kësaj mase është adekuate për zhvillimin normal të procedurës penale.Kërkesa e prokurorisë u kundërshtua nga mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Granit Ramadani, me arsyetimin se deri me tani nuk janë ofruar prova relevante që e argumentojnë ndikimin e drejtpërdrejt apo të tërthortë të pandehurit në prova, e posaçërisht kur kemi të bëjmë me një vepër e cila është kryer në muajin qershor të këtij viti.Ai i ka propozuar gjykatës që kërkesa e prokurorisë të refuzohet dhe i dyshuari të mbrohet në liri.Prokuroria Themelore në Gjilan, më 27 gusht 2021, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj N.S, si i dyshuar për veprën penale të vjedhjes.Sipas kërkesës, i dyshuari në qershor të këtij viti, në intervalin kohor prej orës 21:00 deri 24:00, në hyrje të fshatit Gërmov, Komuna e Vitisë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo tjetrin, ka vjedhur në dëm të dëmtuarit N.M. nga fshati Drobesh, Komuna e Vitisë, në atë mënyrë që i pandehuri gjatë drejtimit të automjetit të vet të markës “Mercedes”, i vërën dy gjedhe lopë- të racës simetal, e ndal automjetin i zen lopët dhe të njëjtat i lidh në një oborr të një shtëpie të pabanuar të fshatit Gërmovë.Tutje, në kërkesën e prokurorisë thuhet se pas kësaj një dëshmitar nga fshati Gërmovë i rrëfen se lopët janë të një kushëriri të vet, të cilin do ta informonte për lopët të cilat i kishte lidhur, ndërsa me vonë pas orës 24:00 është vërejtur se lopët ishin tërhequr nga vendi ku i kishte lidhur, ndërsa pronari i lopëve fare nuk ishte lajmëruar nga i pandehuri i sipërshënuar.Në këtë mënyrë thuhet se i pandehuri me veprimet e veta të kundërligjshme të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material në vlerë të papërcaktuar.Ndryshe, vepra penale “vjedhja” nga neni 313, paragrafi 1 të Kodit Penal, është e dënueshme me gjobë ose burgim deri tre (3) vjet. /BetimipërDrejtësi
Një muaj arrest shtëpiak ndaj të dyshuarit se vodhi dy lopë
Ndani këtë artikull